Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu nuk ka qenë e prerë kur u pyet për tubimin e paralajmëruar të Presidentit Ilir Meta në 2 Mars në Tiranë.
Në një prononcim për emisionin “Open” në TCH ajo u pyet nëse do të lejohej tubimi për shkak të koronavirusit, por ministrja u përgjigj shkurt: “Ekspertët do të vendosin për çdo situatë”.
Ajo tha se deri tani në laboratorin e virologjisë në ISHP janë trajtuar 8 raste dhe të gjithë kanë rezultuar negativë. Me gjithë këmbënguljen e gazetares Eni Vasili, ministrja nuk pranoi të tregojë se ku është ngritur karantina për të dyshuarit e prekur nga virusi.
“Është bërë gati, janë vlerësuar ekspertët disa vende dhe karantina është gati. Ekspertët kanë vlerësuar një sërë strukturash spitalore dhe jo spitalore, do të jetë momenti kur të hapim karantinën dhe atëherë do të ketë transparencë maksimale. Në asnjë vend nuk ka pasur debat për karantinën. Këtu nuk ka asgjë misterioze. Nuk është kjo çështja.
Ju duhet të interesoheni për bokset e izolimit, apo për mjetet e trajtimit. Karantina nuk është një strukturë për të futur njerëzit e sëmurë, por ata që janë të shëndoshë, por që dyshohet dhe që do të do të rrinë aty 14 ditë, në Milano janë spitalet civilë që bëjnë karantinën. Kjo ka ndodhur edhe në Londër”, tha Manastirliu.