Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka prezantuar ditën e sotme planin e daljes nga kriza, që e cilësoi si një ofertë për qeverinë, në mënyrë që ajo të bëjë “detyrën karshi shëndetit, mirëqenies dhe sigurisë së shqiptarëve”.
“Kemi parë që këto 6 muaj nuk kanë shërbyer për të hartuar një plan efikas masash që të përmirësojë përgjigjen shëndetësore ndaj Covid-19 dhe që të lehtësojë ekonominë. Shkaktarët e keqmenaxhimit të ekonomisë vazhdojnë lojërat propagandistike dhe takimi i sotëm ka si temë planin e rimëkëmbjes dhe hapat për t’u përballur me krizën”, tha Basha.
“Konsumi ka rënë në pikiatë sepse ka rënë fuqia blerëse. Është përkeqësuar gjendja e vijës mbrojtëse, mjekë dhe infermierë, që sot gjenden edhe më të ekspozuar dhe më të pambrojtur ndaj Covid-19. Nuk ka marrë pagesën e premtuar dhe nuk ka kapacitetet e nevojshme për t’u përballur me valën e dytë. Ndërkohë, kanë nisur edhe shkollat, gjë që përkon me rritjen e numrit të të infektuarve në shkallë vendi. Sezoni do të ketë edhe të tjera sfida si gripi sezonal. Ne nuk i vëmë faj kryeministrit për shpërthimin e pandemisë, por ka përgjegjësi të mëdha: mënyrën se si ka menaxhuar situatën deri më sot dhe mosnxjerrjen e mësimeve për atë që duhet bërë që sot e tutje. Po shpenzohen orë të tëra me propagandë, kur shumë qytetarë po vuajnë. Qeveria nuk ka asnjë përgjigje për këtë situatë. Do prezantojmë planin me 5 hapa kundër krizës. Kjo është oferta ndaj qeverisë që të bëjë detyrën karshi shëndetit, mirëqenies dhe sigurisë së shqiptarëve”.
Pika e parë: Mbështetje dhe përgatitje e sistemit shëndetësor, përgatitja për një tjetër shpërthim të Covid-19. Rritje testimesh në 2500 testime në ditë; rimbursim i plotë për marrjen e mjekimit ambulator kundër Covid; sigurim pajisjesh mbrojtëse për të gjithë personelin mjekësor dhe rritjen e kapaciteteve spitalore; bonusi i premtuar 1000 euro për çdo mjek dhe 500 euro për çdo infermier, në 6 muajt e ardhshëm.
Pika e dytë: Fëmijët tanë të arsimohen të sigurt: Të garantojmë që fëmijët dhe mësuesit në shkollë të jenë të sigurt, duke:
a)Përmirësuar kushtet sanitare në shkolla duke përfshirë furnizimin me ujë, paisjen me maska mbrojtëse dhe dezinfektimin e rregullt të ambienteve mësimore.
b)Kryer testimin periodik për mësuesit dhe stafin ndihmës.
c)Investuar në teknologji për rastet kur mund të aplikohet mësimi në distancë, përfshirë ndihmën për familjet me të ardhura të ulta për të blerë tableta për fëmijët e tyre, në mënyrë që edhe ata të përfitojnë nga mësimi në distancë.
Pika e tretë: Asnjë shqiptar të mos lihet pas dore:
a)Të mbështesim ata që kanë humbur vendin e punës. Çdo individ që ka humbur vendin e punës nga pandemia gjatë këtij viti, të përfitojë një çek mujor prej 16 mijë lekë të reja në muaj, përvec pagesës ligjore për papunësinë, për një periudhë prej 6 muajsh.
b)Krijimi i një Fondi të Punësimit për të mbështetur bizneset për të rimarrë në punë të larguarit gjatë pandemisë, duke i alokuar cdo punëdhënësi që rimerr në punë një individ që ka humbur vendin e punës prej pandemisë, një shumë mujore prej 20 mijë lekë të reja në muaj për një periudhë prej 6 muajsh.
c)Dyfishimi i ndihmës ekonomike për çdo familje që trajtohet me ndihmë ekonomike.
d)Çdo pensionist të përfitojë një çek mujor prej 2 mijë lekë të reja në muaj për përballimin e kostove shtesë të pandemisë, për 6 muaj.
Pika e katërt: Ndihmë për biznesin e vogël: Mbështetje e drejtpërdrejtë për të gjitha bizneset e vogla të prekura nga pandemia. Çek prej 1000 euro për çdo biznes të vogël aktiv.
Pika e pestë: Mbështetje për biznesin prodhues dhe punëdhënësit e mëdhenj:
a)Për 6 muajt e ardhshëm, subvencionim 50% të qirasë për ambientet e punës ose heqje e taksës së pronës për bizneset pronare të ambienteve të punës.
b)Shtrirja në kohë dhe rikonceptimi i kritereve të përfitimit nga të dyja skemat e garancisë sovrane, për ta bërë më të aksesueshme dhe të përballueshme kredimarrjen nga biznesi. Përcaktimi i një tavani prej 2% të normës së interesit për biznesin, duke subvencionuar çdo përqindje mbi këtë vlerë në kredimarrjen për investime dhe shpenzime operative.