Nga studio e “Opinion” në Tv Klan, kreu i PD Lulzim Basha, ka treguar se çfarë do bënte ai nëse do të ishte kryeministër.
Basha shprehet se masat për parandalimin e përhapjes së Covid-19 do të ishin marrë shumë më herët, ndërsa shtoi se do vijonte me testime masive tek qytetarët si dhe me pajisjen e plotë të stafit mjekësorë me masa mbrojtëse.
Po ashtu Basha thotë se do kishte një tjetër mënyrë veprimi dhe menaxhimi të anës ekonomike.
“Do nisja që ditën e nesërme të paktën 1500 testime në ditë, një strategji ku shqiptarët do të testoheshin pasivisht, transparencë reale të shifrave të të infektuarve dhe jo gënjeshtra. Kjo do na tregonte gjendjen reale… Do pajisja të gjithë sistemin shëndetësorë me mjaftueshëm pajisje, pavarësisht kostove. Testet për imunitetin afatshkurtër afatgjatë. Urgjentisht marrjen e masave për pandeminë më të madhe që po na zë, ajo ekonomike. Nëse këto masa do nisin kur i kërkuam ne, sot një pjesë e bizneseve do operonin pa riskt, pa çoroditje siç janë sot. Me mua do kishte një paketë ekonomike më të madhe se ajo e Kosovës”.
I pyetur nëse ka ndonjë vlerësim pozitiv për mënyrën e qeverisjes në këtë periudhë, Basha thotë se “propaganda dhe mashtrimi” do të merrnin notën 10.
“Absolutisht llafi i mirë, por që nuk e them si vlerësim është që në propagandë dhe në mashtrim merr 10 me yll. Kjo është e vetmja qeveri që dhe në kohë pandemie vjedh”.