Bota Koronavirusi doli nga laboratori i Wuhanit?

Koronavirusi doli nga laboratori i Wuhanit?

Dokumentet sekrete: Kinezët e studionin për të treguar epërsi ndaj SHBA

Shtohen dyshimet se COVID-19 mund të ketë dalë nga laboratori i Institutit të Virologjisë në Wuhan. Media prestigjioze amerikane “Fox News” shkruan se në këtë laborator mbaheshin disa kampionë me koronavirus, jo për t’u përdorur si armë kimike, por që t’i tregohej botës se edhe Kina ka po aq kapacitete, në mos më shumë se Shtetet e Bashkuara për të studiuar viruse të rrezikshme dhe për të zhvilluar ilaçe dhe kura në rast të përhapjes së një epidemie.

Këto informacione kanë dalë përmes disa kabllogrameve nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Mes tyre ka edhe një dokument ku thuhet se Ambasada Amerikane në Pekin e ka informuar Departamentin e Shtetit për studimin për koronavirusin që po kryhej që në vitin 2018 në laboratorin e Wuhanit mbi koronavirusin.

Në dokument konstatohet se virusi është transmetuar fillimisht nga lakuriqët e natës tek njeriu. Pacienti zero është punonjës i laboratorit të Wuhanit.

Ndërsa tregu ku tregtoheshin ilegalisht kafshë të egra në këtë qytet, që mendohet si vatra e koronavirusit, në fakt nuk ka tregtuar kurrë lakuriqë nate. “Kjo teori e ka burimin nga qeveria kineze si përpjekje për të fshehur keqmenaxhimin e fazave të para të epidemisë”, shkruan “Fox News”. Informacionet sekrete thonë gjithashtu se mjekët kanë bërë përpjekje maksimale që në fillim për të parandaluar përhapjen e COVID-19 tek pacientët.

Ekzistencën e një dokumenti të tillë, zyrtarët amerikanë nuk e kanë pohuar e as mohuar deri më tani. Presidenti amerikan Donald Trump tha në një konferencë për shtyp të mërkurën se autoritetet amerikane po hetojnë për skenarë të tilla që po qarkullojnë gjithnjë e më shumë.