Dr. Anthony Fauci paralajmëroi se pandemia do të përkeqësohet në muajt e ftohtë. Sipas tij, koronavirusi nuk do të largohet, prandaj duhet parë si do të menaxhohet situata gjatë vjeshtës dhe dimrit.
“Mendoj se duhet të ulim kokën dhe të shohim si të kalojmë vjeshtën dhe dimrin sepse nuk do të jetë e lehtë. Vazhdoj të shoh kurbën dhe ndihem edhe më i dëshpëruar për faktin se asnjëherë nuk zbresim në pikën ku duam. Unë nuk flas për valë të dytë sepse jemi akoma në valën e parë të pandemisë. Është e vështirë të parashikosh në këtë pikë se çfarë roli do të luajë gripi në këtë pandemi. Unë mendoj se vetëm vaksina mund të na kthejë në normalitet.”
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të raportojnë 36 mijë raste me COVID-19 në ditë. Kjo është një shifër më e ulët se e gushtit, kur numëroheshin gati 80 mijë raste, por sipas Faucit, vijon të jetë e lartë.
Shtetet e Bashkuara udhëheqin botën në vdekjet e konfirmuara nga COVID-19, me gati 190’000. Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu vendi udhëheqës në botë për rastet e infeksioneve, me 6.3 milionë, gati një e katërta e më shumë se 27.3 milionëve në të gjithë botën, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.