87% e viktimave nga koronavirusi në Lombardi as nuk arrin dot në terapitë intensive të spitaleve, pasi vdesin përpara, pa pasur mundësinë të shtrohet. Të enjten, totali i viktimave në rajon ishte 2168, çka nënkupton se vetëm 260 prej tyre kanë vdekur në terapi intensive.
Zona më e goditur është ajo e Bergamos, ku janë shënuar çereku i viktimave. “Fatto Quotidiano” shkruan që nëse telefonon në numrin 118 për të lajmëruar se ke një të afërm që ka vështirësi në frymëmarrje e që nuk ka kryer testin, koha e pritjes për ambulancën arrin deri në 7 orë. Më pas vjen një telefonatë e dytë, ku familjarët njoftojnë se është shumë vonë, pasi pacienti ka ndërruar jetë.
Mjekët ankohen çdo ditë se mjekësia është në gjendje katastrofë. Problem i madh mbetet edhe numri i lartë i të prekurve mes stafit mjekësor. Mediat italiane raportojnë se Covid-19 deri më tani, u ka marre jetën 14 mjekëve, nga mosha 61 deri 80-vjeçare. Të gjithë profesionistë, në vijën e parë të betejës me armikun e padukshëm.