Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se 3 persona të prekur me koronavirus kanë ndërruar jetë. Viktimat janë një 57-vjeçare nga Tiranë, një 80-vjeçar po nga Tirana dhe një 62-vjeçar nga Fieri pa sëmundje të tjera.
Ndërkohë, rastet e reja kanë pësuar një rënie krahasuar me ditën e martë kur u vendos rekord me 119 raste të reja. Në 24 orët e fundit janë kryer 496 testime, nga të cilat 68 persona kanë rezultuar pozitivë.
Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 34 raste në Tiranë, 10 në Krujë, 5 në Durrës, 3 në Shkodër, nga 2 raste në Dibër, Shijak, nga 1 rast në Kurbin, Korçë, Elbasan Kukës, Lezhë, Vlorë, Tropojë, Kamëz, Ura Vajgurore, Vau i Dejës, Prrenjas, Klos.
Aktualisht në dy spitalet COVID, në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 124 pacientë, 20 në terapi intensive dhe 7 pacientë janë të intubuar.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 66 qytetarë duke e çuar numrin e të shëruarve në 2463 që nga fillimi i epidemisë.
“Ministria e Shëndetësisë ju rikujton edhe njëherë të gjithë qytetarëve mbajtjen e detyrueshme të maskës në ambientet e mbyllura dhe kudo nuk është e mundur të ruhet distanca fizike. Ju lutemi, tregoni kujdes në ambientet e punës, aty ku ofrohen shërbime dhe në çdo ambient publik, për të respektuar masat e higjienës, distancës fizike. Respektimi i distancës, vendosja e maskës, higjiena vetjake dhe kolektive janë mënyrat e vetme për të frenuar përhapjen e COVID19. Nëse dyshoni se jeni i prekur ose keni shenja të sëmundjes duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127.
Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion të qytetarëve linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID19″, deklaroi Eugena Tomini.