Shefja e epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino tha se gjatë javës së fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të rasteve të reja. Ajo u shpreh se incidenca një javore është rritur në 209 raste për 100 mijë banorë.
“Këtë javë vërejmë një rritje të numrit të rasteve, një rritje të incidencës. Incidenca javore është rritur në 209 raste për 100 mijë banorë. Duket një rritje drastike, një rritje e rëndësishme pasi një javë përpara ishte nën 200”, tha Bino.
Sipas ekspertes, rritja më e madhe e rasteve vërehet në Tiranë.
“Rritja më e madhe, vihet re në Tiranë, por edhe në qytete të tjera si në Durrës dhe Fier. Incidenca më e lartë vihet re në Bashkinë e Sarandës”.
Tashmë rastet nuk po rriten vetëm tek grupmoshat e reja, por edhe tek ato të vjetra.
“Vihet re rritje jo vetëm në grupmoshën e re. Aktualisht vërejmë rritje të rasteve në të gjitha grupmoshat, jo vetëm të reja, por edhe të vjetra. Tregon që kemi një rritje pas festave”, tha Bino.
Ndërkohë, shefja e spitalit Infektiv, Najada Çomo, tha se është rritur numri i personave të shtruar në spital. Po ashtu sipas saj, “edhe moshat e reja paraqesin forma të renduara të sëmundjes”. Çomo bëri thirrje që të mbahet maska dhe të respektohet distanca fizike.
Kur merret vendimi për hapjen e universiteteve
Pas mbledhjes së Komitetit Teknik të Ekspertëve, zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, deklaroi se pavarësisht rritjes së rasteve të reja, shtrimeve në spital dhe shtimit të viktimave nga Covid-19, për momentin nuk do të ketë masa të reja shtrënguese.
Madje, Rakacolli la të hapur mundësinë për kthimin e studentëve në universitete: “Kjo rritje ka lidhje me moszbatimin e duhur të masave në festat e fundvitit. Por, fatmirësisht, situata vijon të mbetet e kontrolluar dhe për këtë arsye u vendos në mbledhjen e ekspertëve që të vlerësojmë mundësitë e hapjes së universiteteve dhe do të kemi vendim deri në fund të kësaj jave”.
“Jemi në moment delikat, mos të harrojmë që jemi në dimër dhe njerëzit rrinë në ambiente të mbyllura. Prandaj, kërkojmë angazhim më i madh i të gjitha strukturave dhe qytetarëve për të zbatuar mbajtjen e maskave dhe respektimin e distancës sociale”, shtoi Rakacolli.