Autoritetet kineze kanë urdhëruar të gjitha bankat dhe institucionet financiare në vend që të lajnë dhe të mbajnë në karantinë nga 7 deri në 14 ditë të gjitha paratë që zotërojnë në arkat e tyre. Urdhri është dhënë pasi studimet shkencore kanë treguar që një prej transmetuesve më të mëdhenj të koronavirusit janë pikërisht paratë që qarkullojnë nga njëra dorë në tjetrën.
Bankave u është kërkuar që të disinfektojnë paratë me rreze ultravjollcë, apo temperatura të larta dhe të mos i hedhin ato në qarkullim për 14 ditë pas këtij procesi.
Pak dihet për koronavirusin e ri, por shkencëtarët kinezë mes atyre pak të njohurave që kanë zbuluar deri më tani është edhe fakti që virusi është në gjendje që të mbijetojë në sipërfaqe metalike, xhami, plastike apo druri për më shumë se 9 ditë.
Nisur nga këto të dhëna është shpërndarë edhe udhëzuesi higjieno-sanitar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që kërkon disinfektimin e ambienteve të punës dhe të shtëpisë me alkool dhe lëndë të tjera që shkatërrojnë virusin brenda 1 minute.
“Nuk ka një kurë të posaçme për koronavirusin e ri, por parandalimi i përhapjes së tij është thelbësor në këtë fazë”, thuhet në një raport të shkencëtarëve kinezë.
Virusi besohet se shpërndahet nga personi në person përmes ajrit, ashtu si SARS-i, me të cilin pjesa më e madhe e shkencëtarëve janë duke e krahasuar në përpjekje për të gjetur një kurë. Nga krahasimi që u kanë bërë sekuencave të ADN-së studiuesit kanë arritur në përfundimin se koronavirusi i ri me SARS kanë një ngjashmëri mbi 80 për qind me njëri-tjetrin. Një prej ndryshimeve është edhe jetëgjatësia e COVID-19 në ambiente të jashtme.
“Bazuar në të dhënat e deritanishme që kemi për koronavirusin e ri, mund të bazohemi tek të dhënat e SARS-it, që është koronavirusi më i afërt me COVID-19. Për SARS-in jetëgjatësia në sipërfaqe të ndryshme shkonte nga 5 deri në 9 ditë”, thotë Charles Chiu, profesor i sëmundjeve infektive në Universitetin e Kalifornisë.
Ajo që këshillojnë të gjithë ekspertët është kujdesi i theksuar në higjienë, por edhe masat e karantinimit si të domosdoshme për parandalimin, ose minimizimin e përhapjes së virusit.