Spanja po bëhet më shpejtësi vatër e përhapjes së koronavirusit në Europë. Sipas shifrave zyrtare të autoriteteve spanjolle, vetëm në ditën e fundit numri i viktimave është dyfishuar, duke arritur në 292. Ndërkohë që numri i të infektuarve po kap shifrën e 8000 personave.
Edhe pse shifrat nuk krahasohen me Italinë, që është edhe vendi europian më i prekur, situata në Spanjë mbetet e rëndë. Qeveria ka shpallur gjendjen e emergjencës kombëtare pas rritjes së ndjeshme të rasteve të reja dhe ushtria ka dalë në rrugë për të siguruar zbatimin e saj.
Madridi mbetet qyteti më i goditur, me 3544 raste dhe 213 viktima, i ndjekur nga krahina Baske me 23 viktima dhe Katalonja me 12 viktima. 6,6 milionë banorët e kryeqytetit kanë respektuar thirrjen për të qëndruar në shtëpi, ashtu si dhe pjesa tjetër e vendit.
Me virusin pandemik është diagnostikuar edhe bashkëshortja e kryeministrit Pedro Sanchez.