Rëndohet situata nga koronavirusi në Italinë fqinje. Shifrat e publikuara nga Mbrojtja Civile nuk janë aspak optimiste.
Vetëm gjatë 24 orëve janë shënuar 620 raste të reja të të prekurve nga Covid-19, pavarësisht masave të marra në rajonet ku prej 2 javësh janë shpallur zonat e kuqe. Në Lombardi, virusi është përhapur me shpejtësi marramendëse. Rasti i parë është regjistruar edhe në Vatikan, ku vetë selia e Shenjtë i është nënshtruar një dezinfektimi total.
Frika nga koronavirusi ka pushtuar thuajse të gjitha qytetet italiane. Roma është zbrazur, edhe pse në këtë periudhë të vitit kryeqyteti italian pushtohet nga miliona turistë. Taksitë qëndrojnë bosh njëra pas tjetrës, godinat historike dhe pikat turistike, edhe të hapura, nuk kanë asnjë vizitor. Për të shmangur përhapjen e koronavisurit, qeveria ka urdhëruar qytetarët të shmangin në çdo mënyrë kontaktet, qoftë edhe takimet me duar.
91 vende të botës janë në gjendje emergjence. Mbi 101 mijë vetë në thuajse të gjitha kontinentet, rezultojnë të prekur, ndërsa numri i viktimave i ka kaluar 3400, me panikun që rritet nga dita në ditë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë mund të shpallë brenda pak orëve pandeminë, teksa pret edhe të dhënat zyrtare nga dy kontinentet, Afrika dhe Amerika Latine, për të marrë një vendim. Sipas OBSH, vendet që do të vuajnë më shumë pasojat e Covid-19, janë ato me sistemin shëndetësor më të brishtë si Afrika, Amerika Latine dhe Karaibet.