Anëtarët e Këshillit të Evropës mbajtën një video-konferencë gjatë ditës së mërkurë për situatën e krijuar nga Covid-19 gjatë së cilës vendosë të shtyjnë dhe mbledhjen e radhës së Këshillit që ishte parashikuar për t’u mbajtur më datë 26-27 mars. Përmes një deklarate për shtyp u njoftua shtyrja e kësaj mbledhje, por nuk u caktua një datë tjetër.
Në këtë takim pritej të kishte një tjetër vendimmarrje lidhur me çështjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. E nëse herët e tjera ishin problemet e brendshme të BE-së ato që ndikuan në mos hapjen e negociatave, kësaj radhe është pandemia e Covid-19 ajo që po e pengon vendin tonë në rrugëtimin evropian.
Gjatë video-konferencës, vendet anëtare diskutuan për çështjen e vënies në kontroll të koronavirusit, sigurimin e mjeteve të nevojshme mjekësore, promovimin e kërkimit shkencor. Hapa të cilat vendet do t’i ndjekin menjëherë në të gjitha nivelet.
Këshilli i Evropës ra dakord që një tjetër konferencë e ngjashme të mbahet javën e ardhshme. Ata riafirmuan nevojën për të bashkëpunuar dhe për të bërë gjithçka të nevojshme për t’u përballur me këtë krizë dhe pasojat e saj. Prioritet mbetet jeta e qytetarëve.