Mark Lipstich, ekspert epidemish te universiteti “Harvard” në SHBA, mendon se COVID-19 do të infektojë deri në 60% të popullsisë. Dhe nëse vdekshmëria do të jetë 1%, atëherë dhe në SHBA priten të ndodhin me mijëra, ose edhe dhjetëra mijëra vdekje.
Një rol të rëndësishëm për të ulur pasojat vdekjeprurëse të virusit luan shpejtësia me të cilën përhapet. Gjëja të cilës i druhen më shumë ekspertët është një shpërthim aq i vrullshëm i virusit, sa të sëmurët të bëhen më shumë se ç’mund të përballojë sistemi i shëndetësisë.
Në rast të tillë, të vdekurit do të jenë shumë më tepër, pasi s’do të ketë mjaftueshëm shtretër apo pajisje ventilimi për t’i mbajtur gjallë.
Katastrofa që do të ndodhte nga një dyndje nëpër spitale mund të shmanget nëpërmjet masave që po marrin vende të ndryshme, si mbyllja e shkollave, anulimi i takimeve në turma të mëdha, puna nga shtëpia, vetë-izolimi, karantina, etj. Këto masa ndihmojnë që virusi të mos përhapet shpejt.
“Edhe po të mos ulet dot numri i të prekurve në total, ngadalësimi i përhapjes mund të jetë kritik për të ruajtur jetët”, shkroi Karl Bergstrom, biolog te universiteti i Uashingtonit, i cili postoi në Twitter një grafikë nga Qendra Amerikane e Kontrollit të Sëmundjeve që shpjegon më qartë se ç’do të thotë “sheshimi i kurbës”.
“Sheshim i kurbës” do të thotë që masat të cilat po merren tani në Itali, Kore të Jugut apo në shtete të ndryshme të SHBA-ve, nuk po bëhen për të ndaluar përhapjen e sëmundjes, por për të ngadalësuar shpejtësinë me të cilën i sëmur njerëzit. Dhe kjo shihet te grafiku i ofruar nga Qendra Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC).
Dy grupet që janë më të prekshme nga pneumonia që shkakton COVID-19, njerëzit mbi 60 vjeç dhe ata që vuajnë nga sëmundje kronike, këshillohen që t’u shmangen turmave sa më shumë që të munden.
Por edhe të rinjtë e të shëndetshmit të cilët mund ta kalojnë pa probleme e pa pasoja, duke u ekspozuar vetë rrezikojnë t’ua kalojnë personave më të kërcënuar, ndaj e kanë për detyrë të qëndrojnë sa më larg të tjerëve e të ndihmojnë me ngadalësimin e epidemisë, sipas Emili Landon, eksperte epidemie në universitetin e Chicago Medicine.