Gjatë merkatos së dimrit Mançester Junajtid afroi sulmuesin nigerian, Odion Ighalo, por ai nuk është bashkuar ende me grupin e futbollistëve. Klubi anglez po e mban larg skuadrës, si një masë paraprake, duke qenë se ai vjen nga Kina, e prekur nga epidemia e koronavirusit.
Shtypi sportiv anglez i ka kushtuar rëndësi këtij fakti, duke bërë të ditur se rreziku që lojtari afrikan të jetë prekur nga koronavirusi është shumë i vogël, por Mançesteri vazhdon ta mbajë atë të “izoluar”. Nga drejtuesit e Mançesterit është thënë se Ighalo do të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen e së hënës me Çelsin, por gjithçka mbetet për t’u parë, nëse do të ndodhë vërtet kështu.
“BBC Sport” bën me dije se Ighalo është stërvitur këto ditë nën mbikëqyrjen e klubit, me një program të personalizuar për të qenë sa më parë në gjendjen optimale. Kohët e fundit sulmuesi 30-vjeçar është aktivizuar me Shenhua në Kinë, por “Djajtë e kuq” e kthyer në Premier League, pasi kishin nevojë për një sulmues me përvojë. Ighalo ka ardhur në formë huazimi për pjesën e mbetur të kampionatit dhe më pas do të kthehet te Shanghai Shenhua.
Në Angli, për të gjithë ata shtetas që vijnë nga Kina, janë dhënë udhëzime që të qëndrojnë për 14 ditë në karantinë, për të shmangur çdo rrezik të mundshëm për përhapjen e virusit vdekjeprurës.