Shtetet balltike, Estonia, Letonia dhe Lituania, kanë hapur kufijtë për njëra-tjetrën, duke krijuar një korridor të sigurtë udhëtimesh mes tyre. Nga mesnata e së enjtes, qytetarët mund të lëzivin lirdhëm mës tre vendeve të Bashkimit Europian.
Por, për cilindo që vjen nga jashtë zonës, karantinimi 14-ditor është i detyrueshëm. Kjo është zona e parë e sigurtë e krijuar në Europë që kur Kontinenti i Vjetër nisi blindimin e kufijve, në përpjekjen për të frenuar përhapjen e pandemisë. Zyrtarë të Bashkimit Europian po përpiqen tani të inkurajojnë edhe vendet e tjera të zbusin kufizimet e lëvizjes, mes shqetësimeve në rrije për impaktin ekonomik të izolimit.
Shtetet balltike janë më të varfrat në eurozonë dhe presin një tkurrje të ekonomisë prej 8%.
Në një deklaratë, kryeministri lituanez Saulius Skvernelis e cilësoi këtë hap si një mundësi për rihapjen e bizneseve dhe një rreze shprese se qytetarët mund të rikthehen në normalitet. Mbi bazë të rregullave të reja, cilido që nuk ka udhëtuar jashtë shteteve balltike gjatë dy javëve të fundit, që nuk është i infektuar dhe nuk ka qenë në kontakt me persona të prekur, mund të udhëtojë lirshëm.
Letonia, Lituania dhe Estonia nuk u prekën rëndë nga pandemia, ashtu si fqinjët europianë, me vetëm 150 vdekje të regjistruara në të treja shtetet. Polonia dhe Finlanda kanë kërkuar t’i bashkohen korridorit balltik. Gjermania ka nisur rihapjen graduale të kufijve me qëllimin për të lejuar lëvizjen e lirë me shetet europiane nga 15 qershori.