Autoritetet vunë në pranga 6 punonjës policie të Portit të Durrësit këtë të martë për korrupsion e shpërdorim detyre. Ata janë:
1- Inspektor Kalosh Sula 57 vjeç, me detyrë kontrollor në Stacionin e Policisë P.K.K.-Port Durrës
2- Inspektor Luan Çelaj 32 vjeç, me detyrë kontrollor në Stacionin e Policisë P.K.K.-Port Durrës
3- Inspektor Marsel Farruku 30 vjeç, me detyrë kontrollor në Stacionin e Policisë P.K.K.-Port Durrës
4- Inspektor Naim Kadrimi 60 vjeç, me detyrë kontrollor në Stacionin e Policisë P.K.K.-Port Durrës
5- Inspektor Isametin Vranezi 28 vjeç, me detyrë kontrollor në Stacionin e Policisë P.K.K.-Port Durrës
6- Inspektor Eduart Matmuja 48 vjeç, me detyrë kontrollor në Stacionin e Policisë P.K.K.-Port Durrës
Sipas njoftimit të AMP, “ekzekutimi i masave të sigurimit u krye në funksion të procedimit penal të regjistruar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës për veprat penale të “Korrupsionit pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim të detyrës”.
“Nga hetimet e kryera rezulton se punonjësit e mësipërm të policisë, duke keqpërdorur atributet që u jep detyra në P.K.K Port Durrës, lejonin hyrje-dalje të shtetasve të cilët kishin ndalesa për udhëtimin në zonën Shengen në këmbim të vlerave monetare, të cilat varionin nga 5 deri në 100 euro. Këto ndërveprime korruptive të dokumentuara gjatë hetimeve, kryheshin në mënyrë të vazhdueshme dhe të përsëritur, duke përfshirë raste të lejimit të kalimit të shtetasve të shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë, apo automjeteve që nuk i nënshtroheshin regjimit doganor”.
Po ashtu, në masë detyrim paraqitje janë vendosur edhe 20 persona.
“Gjithashtu, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, në funksion të këtij procedimi, ka caktuar masat e sigurimit personal “Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” për 20 shtetas, të dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se këta shtetas kanë kryer ndërveprime korruptive ndaj punonjësve të policisë të përmendur më lart”.
Vazhdojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.