Aktualitet “Korrupsion në zgjedhje”, PD kallëzon në SPAK zyrtarë të bashkisë Shkodër

“Korrupsion në zgjedhje”, PD kallëzon në SPAK zyrtarë të bashkisë Shkodër

Bardh Spahia, fituesi i Bashkisë së Shkodrës

Një ditë pas zgjedhjeve të pjesshme në 6 bashki të vendit, Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK disa zyrtarë të bashkisë Shkodër, duke i akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion aktiv në zgjedhje.

1- Mark Molla, i biri i Ndoc, i datëlindjes 20/05/1961, banues në Shkodër, me detyrë publike Drejtor i Ndërmarrjes së Ujësjellësit në Bashkinë Shkodër.

2- Arban Luftia, banues në Shkodër, nëpunës i Bashkisë Shkodër, me detyrë drejtor i Ndërmarrjes së konvikteve pranë kësaj bashkie.

3- Kreshnik Luftia, banues në Shkodër, nëpunës i Bashkisë Shkodër.

4- Fitim Babaj, me banim Mjedë, Bashkia Vau i Dejës.

5- Vasil Simoni, me banim në Juban, Njësia Administrative Guri i Zi, Bashkia Shkodër.

6- Ermal Erkoçaj, i biri i Agimit, i datëlindjes 28/11/1983, banues në Shkodër.

7- Erald Erkoçaj, i biri i Agimit, i datëlindjes 25/01/1988, banues në Shkodër.

PD akuzon zyrtaret e bashkisë për “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, “Grupi i strukturuar kriminal”.

PD kallëzon në SPAK kryebashkiakun e Rrogozhinës dhe anëtarët e KZAZ-ve

Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK nënkryetarët dhe anëtarët e Komisioneve të Zonave Zgjedhore për procesin e zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit.

Padia e bërë nga juristët e selisë blu konstaton se nënkryetarët dhe anëtarët e KZAZ-ve në Vorë, Shkodër dhe Dibër kanë shpërdorur detyrën.

“I/E Nderuar Z./Znj. Prokuror/e, Në datën 05.03.2022, subjekti zgjedhor Partia Demokratike e Shqipërisë ka paraqitur pranë KZAZ nr. 26, Bashkia Vorë listën e propozimeve për anëtarë të Komisioneve të Qendrave të Votimit. Kjo kërkesë është refuzuar nga shtetasit Edlir Picari, Gëzim Demiraj, Astrit Lala, Eljon Zguri dhe Elisa Gjoni me pretendimin se propozimet e paraqitura nuk përmbushnin kriteret ligjore të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor. Por, ndryshe nga sa imponon ky i fundit dhe aktet nënligjore të nxjerra nga organet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (në vijim “KQZ”), këta anëtarë nuk kanë proceduar me nxjerrjen e një vendimi, në mënyrë që më pas subjektit PDSH t’i jepej mundësia e ankimit pranë Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve (në vijim “KAS”)”, thuhet në padinë e depozituar në SPAK. Partia Demokratike ka paditur gjithashtu edhe kryetarin e bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memollan, i cili akuzohet për blerjen e votave në këtë qytet.

“Kryetari i Bashkisë, Memolla, në materialin e publikuar ka kërkuar që punonjësit e OSHEE të veprojnë në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës së tyre, për shkak se, siç shprehet Edison Memolla, jemi në zgjedhje dhe debitores, duhet t’i merren ato, çfarë janë për të marrë, duke folur kështu në mënyrë të tërthortë për të përfituar votën e zgjedhëses, debitore e OSHEE, dhe anëtarëve të familjes së kësaj të fundit, që janë zgjedhës”, thuhet në padinë e ngritur ndaj kryebashkiakut.