Pesë persona të akuzuar për korrupsion për një kamion me dru zjarri të prera në mënyrë të paligjshme në Gramsh, janë dërguar për gjykim nga SPAK.
Të pandehurit janë Çelnik Toska oficer i Policisë Gjyqësore Elbasan, Lulzim Hasa, Sefer Shuka oficer i Policisë Gjyqësore Elbasan dhe Lirian e Zenel Taragjini.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer 5 muaj përgjime për kamionin me dru zjarri, me vlerë 30 mijë Lekë.
Agjentët e BKH kanë investiguar duke kryer vëzhgime filmime dhe fotografime të Lirian e Zenel Taragjini dhe bashkëpunëtorëve të tyre, për 4 muaj. Ato janë kryer në Gramsh, aty ku ishte bllokuar kamioni, e kanë vijuar rrugës për Elbasan dhe më pas brenda në qytet në ambientet e prokurorisë dhe policisë lokale.
Hetuesit e BKH kanë mbajtur nën mbikqyrje dy oficerët e policisë gjyqësorë, për të cilët dyshohej se kanë përfituar 100 mijë Lekë për lirimin e mjetit dhe mbylljen e çështjes.
Sipas dosjes, përpos të gjitha tentativave për lirimin e kamionit më dru nga ana e Taragjinëve, ngarkesa nuk u lirua nga ana e prokurorit të çështjes.