Korrupsioni i lartë, besimi i ulët tek të gjitha institucionet shtetërore dhe pasiguria për jetën, shëndetin dhe vendin e punës janë arsyet kryesore se përse gjysma e shqiptarëve përgjatë 2019 dëshironin që të largoheshin nga vendi.
Ky është rezultati i një sondazhi të kryer nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, ku kanë marrë pjesë 2500 qytetarë nga të 61 bashkitë e vendit. Ata që duan të largohen nuk kanë vetëm arsye ekonomike dhe nuk janë vetëm të shtresave më në nevojë, apo më pak të arsimuara.
“Pothuajse 1 në 2 shqiptarë duan të largohen nga Shqipëria. Shqiptarët me nivel të lartë të ardhurash, me arsim universitar, gratë dhe të papunët kanë më shumë gjasa që të largohen. Shumica e shqiptarëve, 65 për qind, pohojnë se nuk ndjehen të sigurtë për jetën e përditshme. Shqetësimet kryesore lidhen me krimin, probleme të kujdesit shëndetësor, padrejtësinë dhe pasigurinë në vendin e punës”, citon raporti.
Sipas sondazhit, më shumë se gjysma e të anketuarve që kishin marrë një shërbim nga institucionet në nivel qendror e vendor pranuan se kishin paguar rryshfet për këtë shërbim.
“Nga 34.8 për qind e të anketuarve që morën një shërbim në nivel qendror, 19.1 për qind kanë paguar rryshfet për atë shërbim. Në nivel vendor, nga 64.1 për qind e të anketuarve që morën një shërbim në 2019, 35.8 për qind kanë paguar rryshfet për marrjen e atij shërbimi”, thotë raporti i publikuar nga IDM.
Anketa nxjerr në pah se organet e drejtësisë kanë një rritje të lehtë besueshmërie në krahasim me vitet e kaluara, por edhe për to mosbesimi mbetet në nivele shumë të larta, madje më shumë se gjysma e qytetarëve besojnë se ato drejtësia është e kapur nga politika.
“Prokuroria e Përgjithshme dhe gjykatat shihen si institucionet më pak të pavarura për të tretin vit me radhë. Plot 60.5 për qind e shqiptarëve besojnë se agjenda e gjykatave ndikohet shumë, ose jashtëzakonisht shumë nga interesat politike, ndërsa 59 për qind e shqiptarëve e konsiderojnë prokurorinë si shumë të ndikuar, ose jashtëzakonisht të ndikuar nga interesat politike”, citohet në raport.
Pak më shumë se gjysma e të anketuarve besojnë se reforma në drejtësi do të ketë ndikim pozitiv në zhvillimin e vendit dhe rreth 69 për qind e tyre besojnë e ajo po zbatohet siç duhet.
Sondazhi vë në dukje se për pjesën dërrmuese të institucioneve të nivelit qendror dhe vendor në krahasim me vitet e kaluara është vënë re një ulje e besueshmërisë. Sipas sondazheve të IDM-së, besueshmëria e institucioneve njohu një rritje të ndjeshme nga 2013 deri në 2017. Pas 2017-ës vihet re fenomeni i kundërt dhe ulja e besueshmërisë tek institucionet shtetërore.
Policia e Shtetit mbetet një prej institucioneve më të besueshme në krahasim me institucionet e tjera shtetërore. Sipas sondazhit, pak më shumë se gjysma e shqiptarëve kanë besim të uniformat blu. Edhe në këtë sondazh konfirmohet se shqiptarët kanë më shumë besim tek institucionet ndërkombëtare, si NATO, BE dhe OKB.
Besueshmëria e qytetarëve për këto institucione është më e lartë edhe kur bëhet fjalë për kërkesën e llogaridhënies ndaj qeverisë. Shqiptarët besojnë pak se Qeveria u jep llogari institucioneve vendase të kontrollit, si KLSH, ILDKPI, apo organeve të drejtësisë dhe besojnë më fort tek llogaridhënia përballë të huajve.