Një hetim i Drejtorisë Rajonale të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në bashkëpunim e nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës ka çuar në pranga shtatëmbëdhjetë zyrtarë të policisë dhe të pushtetit vendor. Operacioni blic u krye nga FNSH.
Ndërkohë një tjetër është shpallur në kërkim dhe një është pezulluar nga detyra.
Të gjithë dyshohen se lejuan ndërtime pa leje në zonën e Durrësit, Manzës dhe Shijakut.
“Drejtoria Rajonale e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) Durrës, në bashkëpunim e nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, finalizoi me sukses operacionin e koduar “ABUZUESIT”, në funksion të procedimit penal të nisur në vitin 2019 për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës“ për një sërë zyrtarësh policorë, inspektorë vendor, përfaqësues të pushtetit lokal e ndërtues”.
Operacioni u finalizua pas një hetimi disa mujor, duke aplikuar metoda speciale u dokumentuar me prova ligjore veprimtaria e kundraligjshme e subjekteve të këtij procedimi, të cilët duke keqpërdorur atributet që u jepte detyra dhe funksioni, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por dhe me shtetas të tjerë, kanë konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Ndërtim të paligjshëm, në bashkëpunim”.
“Subjektet e këtij procedimi penal, kryenin funksione publike në Policinë e Shtetit, nëpunës të Njësive Administrative, IKMT-ve dhe INUV-it në Durrës, Shijak dhe Manzë”.
Shpërdorimi i detyrës dhe veprimtaria e kundraligjshme e këtyre subjekteve dyshohet se është shtrirë përgjatë vitit 2019 në vende dhe kohë të ndryshme.
Veprimet dhe mos-veprimet e tyre konsistojnë në favorizime të ndërtimeve pa leje, falsifikime dokumentesh, fshehje dhe manipulim të ngjarjeve, pengimin e zbulimit të së vërtetës dhe fakteve kriminale, mos-raportime të ngjarjeve kriminale, mos evidentim të kallzimeve të shtetasve sipas detyrimeve ligjore etj.
“Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe duke abuzuar me kompetencat e ushtrimit të detyrës, dyshohet se kishin krijuar një mekanizëm korruptiv me qëllim përfitimin edhe në vlera monetare, i cili ka mundësuar dhe sjellë si pasojë ndërtime të shumta të paligjshme si objekte banimi, magazina, objekte biznesi etj., duke shmangur kështu zbatimin e legjislacionit në fushën urbanistike dhe sigurimit teknik të tyre”.
Mbështetur në provat dhe faktet e grumbulluara dhe administruara gjatë hetimeve, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës me vendimin e datës 9 janar 2020, caktoi masat e sigurimit personal, të cilat u ekzekutuan në orët e mbrëmjes nga SHÇBA dhe Policia e Shtetit:
– “Arrest në burg” për Komisar B.D., me detyrë Shef i Rendit në Komisariatin e Policisë Shijak, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Arrest në burg” për Nënkomisar S.Xh., me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Manzë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Arrest në burg” për Nënkomisar E.P., me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve/OPGJ, në Stacionin e Policisë Manzë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Arrest në burg” për Nënkomisar N.M., me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve/OPGJ, në Stacionin e Policisë Manzë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Arrest në burg” për Inspektor A.O., me detyrë ndihmës specialist/SPZ, në Komisariatin e Policisë Durrës, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Arrest në burg” për Inspektor D.D., me detyrë ndihmës specialist/SPZ, në Komisariatin e Policisë Durrës, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Arrest në burg” për Inspektor G.D., me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Durrës, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, person i shpallur në kërkim;
– “Arrest në burg” për Inspektor H.Sh., me detyrë ndihmës specialist/SPZ, në Komisariatin e Policisë Shijak, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Arrest në burg” për Inspektor P.N., me detyrë ndihmës specialist/SPZ, në Stacionin e Policisë Manzë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Arrest në burg” për Inspektor N.Sh., me detyrë ndihmës specialist/SPZ, në Komisariatin e Policisë Shijak, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Arrest në burg” për shtetasin Gj.G., me detyrë Sekretar i Njësisë Administrative Sukth, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Arrest në burg” për shtetasin J.K., me detyrë specialist në IMT Shijak, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Arrest në burg” për shtetasin M.Sh., me detyrë Kryeinspektor i IMT Shijak, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Arrest në burg” për shtetasin D.K. posedues dhe zhvillues i objektit të ndërtimit pa leje, i dyshuar për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”;
– “Arrest në burg” për shtetasit P.M., posedues dhe zhvillues i objektit ndërtimit pa leje, i dyshuar për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”;
– “Arrest në burg” për shtetasin Gj.Z., posedues dhe zhvillues i objektit ndërtimit pa leje, i dyshuar për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”;
– “Arrest në burg” për shtetasin A.L., posedues dhe zhvillues i objektit ndërtimi pa leje, i dyshuar për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”;
– “Arrest në burg” për shtetasin Q.D., posedues dhe zhvillues i objektit ndërtim pa leje, i dyshuar për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”;
– “Pezullim nga detyra” për shtetasin A.N., me detyrë specialist i Armatimit në DVP Durrës, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Hetimet e këtij procedimi penal vazhdojnë deri në dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundraligjshme të këtyre subjekteve dhe të subjekteve të tjerë, të cilët janë përfshirë në këtë veprimtari.
Nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga Prokurorë dhe hetues të Drejtorisë së Hetimit të SHÇBA.