UEFA ka dalë me një vendim zyrtar për ndeshjen Rumani-Kosovë që u luajt mbrëmjen e 15 nëntorit në Bukuresht, e që u braktis nga lojtarët dardanë në minutat e fundit për shkak të koreve raciste që tifozët vendas po këndonin në tribuna.
Ashtu siç edhe pritej qeveria e futbollit europian ka vendosur që Rumania të fitojë në tavolinë me rezultatin 3-0 ndeshjen. Përveç humbjes së sfidës, Federata e Kosovës është gjobitur edhe me shumë parash, për sjellje të pahijshme të skuadrës.
“Të shpallë ndeshjen e Ligës së Kombeve 2025 ndërmjet ekipeve përfaqësuese të Federatës Rumune të Futbollit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës, e cila u luajt më 15 nëntor 2024, një ndeshje e braktisur nga Federata e Futbollit të Kosovës (e cila për këtë arsye konsiderohet se ka humbur ndeshjen 3-0) për përgjegjësinë për mosluajtjen e plotë të ndeshjes (siç parashikohet në Nenin 25.01 Rregulloret e UEFA Nations League). Të gjobisë Federatën e Futbollit të Kosovës me 6000 euro për sjellje të pahijshme të skuadrës së saj”, thuhet në vendimin e UEFA-s.
Shtatë gjoba janë vendosur po ashtu nga UEFA për federatën rumune. Këto gjoba variojnë nga 4500 euro deri në 50,000 euro në varësi të thyerjeve të rregullave, me shumë totale që përllogaritet në 128 mijë euro.
Po ashtu kombëtarja e Rumanisë do të duhet të luajë edhe një ndeshje pa tifozë në shtëpi, pasi është dënuar për sjellje raciste/diskriminuese, bllokim të rrugëve publike, hedhje të sendeve, ndezje të fishekzjarrëve, përdorim të laserëve, mos-respektim të himnit kombëtar dhe transmetim të mesazheve të papërshtatshme.