Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve.
Lajmi është dhënë nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një postim në Twitter.
“Në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Serbia është pajtuar që të heqë dokumentet për hyrje-dalje për qytetarët me letërnjoftime të Kosovës dhe Kosova është pajtuar që të mos lëshojë dokumente të tilla për qytetarët që posedojnë karta të identitetit të Serbisë”, tha ai.
Borrell tha se Bashkimi Evropian ka marrë garanci nga kryeministri kosovar, Albin Kurti, për zbatimin e kësaj marrëveshje derisa ka përgëzuar atë dhe presidentin serb që arritën pajtim për këtë çështje.
“Serbët e Kosovës, si edhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre. BE-ja sapo mori garanci nga kryeministri Kurti për këtë. Kjo është një zgjidhje evropiane. Ne i përgëzojmë të dy liderët për këtë vendim dhe lidershipin e tyre”, përfundoi Borrell.