Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për targat. Në një takim që lehtësohej nga Bashkimi Evropian, në Bruksel, kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë kanë rënë dakord për masat që duhen marrë për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, e dha lajmin me anë të disa postimeve në Twitter.
“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve”, shkruan ai në rrjetin social.
Ai ka ftuar palët që në ditët në vijim të diskutojnë hapat e ardhshëm.
Synimi ishte që të arrihej një zgjidhje për çështjen e targave përpara mesnatës së sotme, kur nis dhe aplikimi i gjobave për automjetet që qarkullojnë në Kosovë ende me targat e vjetra serbe.
Osmani falenderon ambasadorin e SHBA-së
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe qeverinë e SHBA-së, pas arritjes së marrëveshjes për targat.
Osmani tha se Hovenier dhe qeveria e SHBA-së patën angazhim aktiv në arritjen e marrëveshjes së sotme në Bruksel.
“Mbështetja e tyre për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është e domosdoshme. Kosova është mirënjohëse”, shkroi Osmani.