Pak orë pasi Kosova zyrtarizoi hapjen e ambasadës së saj në Jerusalem ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë.
Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë shprehu shqetësim të thellë dhe dënoi fuqishëm hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Në një deklaratë të MPJ-së turke thuhet se liderët e kombit që ka vuajtur shumë dhimbje në luftën për pavarësi, injoruan plotësisht gjendjen e rëndë të palestinezëve që përballet me okupim disadekadësh dhe abuzime të rënda të të drejtave të njeriut.
“Vendimi i marrë nga udhëheqësit e një populli që u ballafaqua me vuajtje të mëdha për hir të fitimit të pavarësisë së saj, duke injoruar gjendjen e vështirë të palestinezëve, të cilët kanë jetuar nën okupim për dekada dhe kanë vuajtur shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut, është jashtëzakonisht për të ardhur keq. Duke vepruar në këtë mënyrë, udhëheqësit kosovarë kanë vepruar në kundërshtim me parametrat e vendosura të procesit të paqes, duke përfshirë rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara për statusin e Jerusalemit dhe dëmtuar vizionin e një zgjidhjeje me dy shtete dhe shpresat e paqes në rajon”.
Më tej, Turqia kërkon reagim për aktin që e vlerëson si të papërgjegjshëm. “Ne i inkurajojmë udhëheqësit kosovar që të dëgjojnë mendjen e shëndoshë dhe të heqin dorë nga ky hap i papërgjegjshëm dhe i paligjshëm”.
Lajmi për hapjen e ambasadës së Kosovës u bë i ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës.
“Në pamundësi për të qenë prezentë në Jerusalem, përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, për shkak të situatës pandemike, Ministria e Punëve të Jashtme ka udhëzuar të Ngarkuarën me Punë në Izrael që pllakën e zbuluar nga ministri (i Jashtëm i Izraelit, Gabriel) Ashkenazi, bashkë me flamurin shtetëror, ta vendosë në objektin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.