Ministria e Shëndetësisë së Kosovës i ka dërguar ministrinë së Shëndetësisë të Shqipërisë një listë më 60 mjekë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për t’u vaksinuar vullnetarisht kundër COVID-19 në Kukës.
Sipas njoftimit, kjo listë është hartuar nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitare të Kosovës, bazuar në shprehjen e gatishmërisë së Shqipërisë për të ndihmuar në vaksinimin e një numri të profesionistëve shëndetësor nga Kosova, kryesisht nga shërbimet e vijës së parë në luftën kundër COVID-19.
Ministri Armend Zemaj e ka informuar homologen e tij, ministren Ogerta Manastirliu për listën e vullnetarëve për vaksinim dhe në koordinim midis autoriteteve të dy shteteve, do ta bëhet edhe koordinimi i aspekteve logjistike dhe vaksinimi i tyre.
“Ndërkohë, do të pranohen edhe vullnetarë të tjerë të cilët shprehin interesim për vaksinim brenda numrit të ofruar të dozave për profesionistët nga Kosova, derisa procesi të fillojë edhe në Kosovë”, thuhet në njoftim.