Qeveria e Kosovës miratoi 15 marrëveshje bashkëpunimi me Shqipërinë. Të njëjtat pritet të nënshkruhen zyrtarisht dhe të premten në mbledhjen e dy qeverive. Mes tyre është edhe krijimi i një fondi të përbashkët për mbështetjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Këto informacione i dha kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas një mbledhje të qeverisë.
“Në mbështetje të shkollave, furnizimit me libra, me materiale të ndryshme mësimore, mbështetje në aktivitetet kulturore, në promovimin dhe ruajtjen e kulturës në atë pjesë, në mbështetje që do të japim në punim, duke nxitur bashkëpunimin në mes odave ekonomike, në mes bizneseve dhe duke promovuar drejtpërdrejt punësimin, përtej kësaj, në kuadër të marrëveshjeve që do të nënshkruajmë me Shqipërinë do të jetë edhe krijimi i fondit të përbashkët në mes Kosovës dhe Shqipërisë për mbështetje të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, deklaroi kryeministri kosovar.
Hoti shtoi se në ditët në vijim do të takojë dhe përfaqësues e zyrtarë të Luginës së Preshevës. Marrëveshjet e tjera prekin fusha si siguria, ekonomia, kultura dhe transporti.