Kosova ka hedhur pas krahëve humbjen e pak ditëve më parë ndaj Rumanisë dhe u rikthye te triumfi në Ligën e Kombeve. “Dardanët” fituan me rezultatin e thellë 4-0 ndaj Qipros në transfertë, në grupin C2.
Skuadra e drejtuar nga Franco Foda, e nisi ndeshjen në sulm nga fillimi, duke kërkuar me ngulm golin e avantazhit, që e gjeti në minutën e 9-të.
Vedat Muriqi nuk gaboi nga penalltia, duke zhbllokuar rezultatin.
Në minutën e 21, ishte sërish Muriqi që dyfishoi shifrat, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë. Edhe fraksioni i dytë i lojës nuk kishte shumë histori.
Albion Rrahmani i sapo futur në fushë, gjeti rrugën e rrjetës, duke shënuar për 3-0 në minutën e 48-të, ndërsa 7 minuta më vonë, Dellova vulosi takimin në 4-0.
Kjo është fitorja e parë për Kosovën, në këtë edicion të Ligës së Kombeve, ndërsa mban vendin e dytë në grup me pikë të barabarta me Qipron e Rumaninë, e cila do të luajë sonte ndaj Lituanisë.