Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka shpallur të pavlefshëm mandatin e deputetit Etem Arifi dhe detyron mbajtjen e zgjedhjeve brenda 40 ditësh pasi vota e tij ishte vendimtare në votëbesimin e qeverisë “Hoti” në Parlament.
Rrjedhimisht, Gjykata Kushtetuese në Kosovë konstaton se qeveria “Hoti” nuk është zgjedhur në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe nuk ka pasur votat e nevojshme në Parlament.
Më 3 qershor, qeveria e drejtuar nga Kryeministri Avdulla Hoti nga radhët e LDK mori 61 vota në Parlament duke nisur detyrën si qeveri e re pas prishjes së koalicionit me Vetëvendosjen. Pikërisht një prej 61 votave pro ishte edhe ajo e deputetit, Etem Arifi, nga pakicat edhe pse ai rezultonte i dënuar me 1 vit e 3 muaj burg.
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë të mbajtura në tetor 2019 u fituan nga VV dhe kjo e fundit krijoi koalicion me LDK për të formuar qeverinë e re. Por bashkëqeverisja nuk zgjati shumë duke bërë që qeveria “Kurti” të rrëzohej me mocion mosbesimi të aleatëve, LDK-së.
Gjykata Kushtetuese në Kosovë thotë se, duke u nisur nga parimi i sigurisë juridike, si dhe nga fakti se ky Aktgjykim nuk mund të ketë efekt prapaveprues, vendimet e Qeverisë aktuale mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.
“Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës;
Marrë parasysh se Qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thuhet në vendim e Gjykatës Kushtetuese.
Kosova do të mbajë zgjedhje të jashtëzakonshme në një kohë kur nuk ka President pas dorëheqjes së Hashim Thaçit që po gjykohet në Hagë për krime lufte, por këtë detyrë e ushtron kryeparlamentarja, Vjosa Osmani.
Më 20 gusht 2019, Etem Arifi ishte dënuar me Aktgjykim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit, me një vit e tre muaj burgim. Më 6 tetor 2019, u mbajtën zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Etem Arifi kandidoi dhe u zgjodh deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Më 27 nëntor 2019, KQZ certifikoi rezultatin e zgjedhjeve dhe në listën e deputetëve të certifikuar ishte edhe Etem Arifi. Më 26 dhjetor 2o19, u mbajt mbledhja konstituive e Kuvendit ku u konfirmua mandati i Etem Arifit. Që nga ajo kohë, Etem Arifi vazhdoi të ushtronte funksionin e deputetit, edhe pse ndaj tij rëndonte një dënim gjyqësor i formës së prerë, për një vepër penale, me një vit e tre muaj burgim.