Me inflacionin e lartë të dy viteve të fundit ka një zhvendosje të blerjeve të konsumatorëve shqiptarë, të cilët kanë frenuar blerjen e veshjeve të reja, duke u zhvendosur tek të përdorurat.
Të dhënat nga tregtia e jashtme tregojnë se në 8-mujorin 2024, importet e tekstilit dhe këpucëve në vlerë shënuan rënie me 8.6% dhe nga ana tjetër, importet e veshjeve të përdorura shënuan rritje me 4.7%.
Gjatë janar-gusht 2024, importet e veshjeve të përdorura arritën 2,47 miliardë lekë nga 2,3 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Ndërsa tekstilet dhe veshjet e reja shënuan 56 miliardë lekë importe, nga 61,4 miliardë që ishin vitin e kaluar në 8-mujor.
Importet e veshjeve zënë pjesën më të madhe importit duke arritur në 47.3 miliardë lekë në janar-gusht 2024, me rënie vjetore 8.47%. Importet këpucëve shënuan një vlerë prej 8,8 miliardë lekësh në të njëjtën periudhë nga 9,7 miliardë lekë që u importuan në të njëjtën periudhë të vitit 2023 me rënie vjetore 9.3%.
Rënia e importeve të veshjeve dhe këpucëve vijon për të dytin vit radhazi, pasi edhe më 2023 ishin 4,2% më të ulëta se më 2022.
Nga ana tjetër, tregu i veshjeve të përdorura po rritet nga viti në vit. Vlera në import kaloi 24 milionë eurot në 8-mujor me rritje vjetore 4.7%.
Edhe në rang global shitjet e veshjeve të përdorura po shohin rritje shumë më të fortë se veshjet e reja, si rrjedhojë e ndërgjegjësimit për ruajtjen e ambientit, por edhe si një mënyrë për tu veshur me cilësi kundrejt një çmimi të ulët.
Rënia e konsumit të veshjeve në Shqipëri mbart disa faktorë të shumëfishtë që kanë të bëjnë me tkurrjen dhe plakjen e popullsisë dhe me rritjen e fortë të çmimeve të mallrave të shportës.
Barometri i Ballkanit, një anketë nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal që mat perceptimin e qytetareve për të situatën ekonomike, gjeti se më 2024 shqetësimi më i madh i shqiptarëve ishte inflacioni i lartë.
Pas luftës në Ukrainë, çmimet e shportës në Shqipëri u rritën me ritme dyshifrore. Njësoj si në Europë qytetarët shkurtuan shpenzimet për veshje dhe këpucë.
Edhe në Europë dhe më gjerë shitjet e veshjeve të reja po përballen me rënie këtë vit, edhe pse inflacioni po stabilizohet duke thyer të gjitha parashikimet për rritje të shitjeve në fillim vit./Monitor