Kostot e ndërtimit u rritën për të tretin tremujor radhazi. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, indeksi i kostove në ndërtimin e banesave për tremujorin e parë 2017, u rrit me 0.9% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Kostot e shpenzimeve materiale për tremujorin e parë regjistruan një rritje vjetore 1.6%, rritje më e ulët krahasuar me nivelin 2.1% të tremujorit të mëparshëm.
Ndonëse shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit u frenua ndjeshëm, efekt në rritje dha shtrenjtimi në nëngrupet e materialeve elektrike dhe atyre hidrosanitare. Zëri i shpenzimeve për paga regjistroi një rritje vjetore me 1.7%, rritje kjo më e lartë krahasuar me tremujorët e mëparshëm.
Kostot e transportit ende kanë një kontribut negativ në indeks, por rënia po ngushtohet tremujor pas tremujori. Për tremujorin e parë 2017, kostot e transportit ranë me 2%, nga 2.5% që kishte qenë rënia në tremujorin paraardhës.
Ndonëse në vlerë rritja është ende modeste, ajo është me larta e regjistruar që nga viti 2013. Rritja, sado e kufizuar, po përcaktohet kryesisht nga grupi i shpenzimeve materiale, por edhe një rritje më e lartë në shpenzimet për paga.