Prokurori i Prokurorisë për Krimet e Rënda, Ened Nakuçi, por përballet këtë të enjte me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Ened Nakuçi është një nga prokurorët e dosjes “Shullazi”, si dhe një prej kandidatëve për t’u bërë pjesë e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Që prej vitit 2004 ai ka punuar si prokuror te Krimet e Rënda.
Sipas ILDKPI, Nakuçi ka bërë deklarim të saktë, nuk ka deklarim të rremë, si dhe nuk ka fshehje të pasurisë. Gjatë seancës u zbulua se Nakuçi ka një apartament 136 m2 në Tiranë, për të cilin ka paguar 19 mijë $ në datën 3.9.2003 dhe 23 mijë $ të tjera në vitin 2006 me marrjen e çelësave.
Në vitin 2003 subjekti nuk ka deklaruar shumën e plotë të pasurisë por vetëm shumën e paguar atë vit. Burimi i atyre parave kanë qenë të ardhura nga pagat dhe borxhe nga e ëma, motra dhe xhaxhai. Po kështu, me borxhe nga të afërmit ka realizuar edhe pagesat në vitet 2004 dhe 2005, edhe pse sipas KPK nuk ka dokumentim për këtë.
Nakuçi rezulton gjithashtu të jetë bashkëpronar në një apartament tjetër 73 m2 përfituar me një kontratë në vitin 2010. Burimi i parave për këtë blerje ka qenë shitja e apartamentit 92 m2 në të cilin ka jetuar me prindërit, të ardhura nga pagat si edhe një borxh. Rezultoi se apartamenti është blerë 10 milionë lekë. Shuma e marrë borxh para noterit është 17 mijë euro, tek daja i bashkëshortes, borxh i kthyer pas marrjes së një kredie.
Për këtë pasuri, komisioni konstaton mospërputhje të deklarimeve të subjektit, nuk dokumentohet burimi i një vlere prej 5600 eurosh.
Në pronësi të Nakuçit rezulton të jetë edhe një automjet Ford Kuga, me vlerë 23 mijë euro. Paratë për këtë blerje i ka siguruar nga shitja e një mjeti të mëparshëm (8900 euro), shtesë nga pagat dhe kredi 10 mijë euro.
Gjithashtu ai kishte 1300 $ në llogarinë e tij bankare, 2979 euro në llogarinë bankare të bashkëshortes, 1 milionë lekë në llogari kursimi të djalit, 8 mijë euro në llogari kursimi të vajzës, gjendje cash 1,2 milionë lekë. Ndërsa bashkëshortja e tij rezulton se është pronare e 25% të një apartamenti në Tiranë.
Për sa i përket figurës së prokurorit, DISK konstaton përshtatshmëri të Nakucit për ushtrimin e detyrës.
Sa i përket aftësive profesionale, nga pesë dosjet e përzgjedhura me short rezulton se në një prej tyre, në vitin 2014 Nakuçi ka vendosur mosfillim procedimi pas 4 vjet hetimesh.
Nuk rezulton qe Nakuçi të ketë masa disiplinore për punën.
Në tre vjet ka marrë vlerësim “Shumë mirë” nga Prokuroria e Përgjithshme
Rezulton se në vitin 2016 ka një denoncim nga një qytetare se mjeti i saj ishte goditur nga mjeti i Nakuçit, i cili është larguar nga vendi i aksidentit. Nakuçi është kthyer në vendngjarje dhe ka lajmëruar policinë. Në nëntor 2016 është vendosur mosfillim procedimi penal.
Në lidhje me dosjen “Shullazi” rezulton se subjekti ka ndjekur çështjen, por nuk ka marrë pjesë bë pretencë. Subjekti ka braktisur detyrën duke u larguar jashtë vendit, pa ia kaluar dosjen kolegëve të tij. Subjekti e ka argumentuar largimin me arsye shëndetësore.