Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka folur për gazetarët pas takimit me disa nga deputetët demokratë.
Lidhur me vendimin e marrë nga KQZ për regjistrimin e PD-së si subjekt zgjedhor në vendoret e kësaj pranvere, Alibeaj theksoi se i gjithë dokumentacioni i dërguar prej tyre në KQZ është në përputhje me ligjin.
Po ashtu Alibeaj theksoi se PD do të regjistrohet në zgjedhje dhe do të jetë pjesë e garës.
I pyetur nga gazetarët nëse do të dërgojnë në KQZ shkresën që kërkoi kryekomisioneri Ilirjan Celibashi apo do të shkojnë në KAS, Alibeaj theksoi se nuk mund të ketë firmë nga Lulzim Basha pasi ai është i dorëhequr.
“Jo, e kemi bërë të qartë dje. Dorëheqja e zotit Basha është fakt publik tashmë. Sqarimi përkatës edhe shkresor ne do ta dërgojmë pranë KQZ-së. Kështu që nuk mbetet asgjë për t’u diskutuar. Praktika edhe në zgjedhjet e mëparshme është e mbështetur në Kodin Zgjedhor, kështu që kjo është një çështje e zgjidhur.”
Ndërsa, sa i përket deklaratave të bëra nga kryedemokrati Sali Berisha, i cili sot sërish mohoi mundësinë e bashkëpunimit me grupimin tjetër, Alibeaj kujtoi se “dora ka qenë gjithnjë e shtritë,” edhe para vendimit të gjykatës.
“Dora ka qenë e shtrirë, edhe kohë më parë, edhe para vendimit të gjykatës. Që të shtrëngohet edhe nga pala tjetër duhet e njëjta gjë.”
Pritet që grupimi që drejton Enkelejd Alibeaj të mblidhet sërish më 20 mars kur, siç u shpreh ai, do të zyrtarizohen kandidatët, qoftë për kryetarë bashkie, qoftë për Këshillat Bashkiakë.