Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i ka hequr mandatin kryetarit të Bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari.
“Nuk ka një shkak ligjor që kryetarit të Bashkisë Kuçovë t’i ndërpritet mandati”, u shpreh kryekomisioneri Ilirjan Celibashi.
Në argumentin e tij pas vendimit, kreu i KQZ deklaroi: “Nuk ka detyrim subjekti vetëdeklarues për të paraqitur në formularin e deklarimit, rrethana apo shkaqe të cilat nuk e ndalojnë atë që të marri zyrën publike. Ky është një qëndrim tashmë i konsoliduar prej institucionit të KQZ, janë disa raste. Neni 3 pika 5 thotë: Formulari i Vetëdeklarimit plotësohet vetëm nga personi që është subjekt i këtij ligji dhe mandej shton, deklarimi i rrethanave të rreme ose të shtrembëruara përbën vepër penale sipas nenit 190 të Kodit Penal. Kjo është një çështje që nuk i takon KQZ. Ajo çfarë vlerëson KQZ është verifikimi i shkaqeve për moskandidim të themi të një personi të caktuar”.
Çështja ndaj kryebashkiakut të Kuçovës u shqyrtua pasi Kreshnik Hajdari nuk ka deklaruar në formularin e Dekriminalizimit një dënim në vitin 1999 nga Gjykata e Janinës për kalim të paligjshëm të kufirit.
Kreshnik Hajdari, i cili ishte i pranishëm në mbledhjen e KQZ së bashku me avokatin e tij Theodhori Sollaku, nëpërmjet mbrojtësit të tij ligjor pretendoi se nuk kishte shkak për ndërprerjen e mandatit pasi në vitin 1999 ka qenë i mitur dhe nuk ka patur dijeni për një vendim gjyqësor nga pala greke.
Por për avokatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ligji i Dekriminalizimit është i qartë, që mandati duhej ndërprerë pasi vendimi i formës së prerë duhet deklaruar në formularin e vetëdeklarimit, gjë që nuk ka ndodhur.