KQZ shpërndan paratë e fushatës. ‘Buzëqesh’ Alibeaj, merr edhe 26 mln lekë, shlyen edhe borxhin ndaj KQZ
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të shpërndajë 96 milionë Lekë për 9 subjekte zgjedhore që kanë marrë më shumë se 1 përqind të votave në zgjedhjet lokale të 2015.
Nga këto pjesën më të madhe të shumës e përfiton Partia Socialiste që do të marrë afërsisht 44 milionë lekë, e dyta renditet Partia Demokratike me afro 26 milionë lekë dhe Partia e Lirisë afro 16 milionë lekë.
Në këtë mënyrë, Partia Demokratike me vulën zyrtare në dorën e Enkelejd Alibeajt është partia opozitare që merr më shumë para, pavarësisht se në këto vendore garon vetëm për 14 bashki. Nga shuma fillestare, KQZ ka marrë edhe borxhin e kësaj force politike prej 600 mijë lekësh.
Ndërsa në arkën e Partisë së Lirisë do të shkojë edhe fondi i vënë në dispozicion për Partinë Demokristiane të Nard Ndokës, që në këto vendore shkon në koalicion.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka firmosur dhe një akt-marrëveshje me subjektet përfituese të cilat në rast se nuk bëjnë transparente çdo shpenzim do të humbasin të drejtën për të përfituar nga fondet e buxhetit të shtetit për 5 vite ose duhet të kthejnë të gjithë shumën duke paguar dhe sanksionet që përcakton ligji elektoral.