Politika KQZ: Votojnë vetëm emigrantët me mbi tre muaj qëndrim jashtë

KQZ: Votojnë vetëm emigrantët me mbi tre muaj qëndrim jashtë

Çdo emigrant që ka më shumë se 3 muajsh jashtë Shqipërisë do të ketë të drejtën të votojë atje ku e ka vendbanimin. Ky është propozimi i bërë nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve,  që u është vënë në dispozicion përfaqësuesve politikë për diskutim.

Në projektvendim thuhet se për të gëzuar të drejtën e votës, emigrantët duhet të paraqesin paraprakisht një kërkesë,  jo më vonë se 15 ditë që nga shpallja e datës së zgjedhjeve nga ana e kreut të Shtetit.  Kërkesa mund të bëhet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në faqen e internetit ose nëpërmjet aplikacionit zyrtar të KQZ-së.

Sipas propozimit, qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit duhet të plotësojnë paraprakisht një formular me të dhënat e tyre personale, të shoqëruar me një foto të dokumentit identifikues, qoftë ai i lëshuar nga autoritetet shqiptare, apo  të shtetit ku banon.

Por nga e drejta e votimit përjashtohet çdo shtetas shqiptar me banim jashtë vendit, i cili nuk deklaron  vendbanimin. Ky propozim i bërë nga Komisioni Rregullator pranë KQZ-së vjen në një kohë kur kryekomisioneri Celibashi është shprehur se brenda vjeshtës së vitit 2023 duhet të jetë gati procesi për votimin e diasporës.