Analisti Afrim Krasniqi komentoi nw televizionin A2 CNN vendimin e Presidentit Ilir Meta për të anuluar 30 qershorin si datën e zgjedhjeve lokale.
Krasniqi u shpreh se në një situatë të jashtëzakonshme edhe argumentet e Presidentit për rrëzimin e dekretit ishin të jashtëzakonshme.
Ai thotë më tej se në lidhje me dekretin nuk kishte referencë kushtetuese.
“Unë dallova që Presidenti ishte kujdesur shumë për të bërë analizën e situatës politike dhe për të parë në këndvështrimin politik se kush janë perspektivat e saj. Por nga Presidenti pritej elementi i parë, referimi kushtetues për problematikën dhe zgjidhjen e krizës. Për herë të parë në historinë e Republikës së Shqipërisë kemi një rast kur anulohen zgjedhjet. Gjithmonë kemi pasur raste kur janë anuluar dhe është shpallur një datë e re. Duke qenë një situatë e jashtëzakonshme edhe argumentet e Presidentit ishin gati-gati të jashtëzakonshme. Në aspektin juridik kushtetues, Presidenti nuk ka kompetencë ta bëjë një gjë të tillë. Në lidhje me dekretin nuk kishte referencë kushtetuese. Referencë kushtetuese kishte në lidhje me parimet kushtetues dhe elementët e tjerë. Nga ana tjetër, Presidenti në fund e paraqiti si një rrugëzgjidhje drejt një dialogu politik”, u shpreh Krasniqi.
Më tej, teksa analizon situatën, Krasniqi thotë se nëse Parlamenti do të shqyrtonte dekretin e Presidentit, Metës ndoshta do t’i lindte e drejta për të ndërmarrë akte ndaj Parlamentit. “Deklarata e Presidentit mund të jetë çelës për të shkuar drejt dialogut, por e thellon krizën sepse sot nuk kemi një institucion garancie. Në kushtet normale, të gjitha këto argumente që i dha Presidenti të paraqiteshin para Gjykatës Kushtetuese, Kryeministri të paraqesë argumentet e tij dhe Gjykata të merrte vendimin. Imagjinoni sikur Parlamenti të shqyrtojë dekretin e Presidentit kur nuk ka kompetencë për ta bërë këtë gjë. Praktikisht do të kishim një avancim të krizës dhe do të ishim në një situatë shumë më të jashtëzakonshme që ndoshta do t’i lindte të drejtën Presidentit për të vazhduar situatën e jashtëzakonshme për të ndërmarrë akte ndaj Parlamentit që nuk kanë sens kushtetues”, u shpreh analisti.