Në fund të muajit shkurt, Bashkia e Tiranës do të rihapë programin e kredive të buta për familjet dhe çiftet e reja që duan të blejnë një shtëpi.
I ftuar si një nga mysafirët e parë në strehëzën e re të çiftit Adela dhe Albi Osmani, të cilët përfituan nga programi i kredisë së butë vitin e kaluar, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, dha lajmin e mirë edhe për ato familje që nuk arritën të kapin afatet për plotësimin e dokumentacionit në thirrjen e parë.
“Programi do të rifillojë në fund të shkurtit. Shpesh na është dashur të shpjegojmë se bashkia ka paketa të ndryshme, për kategori të ndryshme të shoqërisë. Që do të thotë, nëse je tërësisht në nevojë, kemi qendrat e emergjencës; nëse ke pak mundësi, kemi banesat sociale me qira minimale, 30 mijë lekë të vjetra; për dikë tjetër që thotë: ‘Jo nuk dua të jem pronar i një shtëpie’, kemi bonus qiraje. Por, kur vjen puna tek një kategori tjetër, pra për shtresën e çifteve të reja, që duan të krijojnë familjet e tyre në Tiranë, kredia e butë është një ofertë perfekte”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se programi për kreditë e buta për strehim tregoi se Bashkia e Tiranës i erdhi në ndihmë jo pak, por 1 mijë familjeve të reja dhe në nevojë, që nuk kishin mundësi të përballonin interesat e tregut për të blerë shtëpinë e tyre.
Ai nënvizoi se fituesit e thirrjes së dytë, duhet t’i ndjekin procedurat me bankën brenda vitit, që të shpallen fitues të kredisë së butë.
Albi dhe Adela e vlerësuan nismën e Bashkisë së Tiranës për t’iu gjendur pranë çifteve të reja, të cilët e kanë të vështirë të aplikojnë për ofertën e kredive hipotekore në treg.
Projekti “Subvencionimi i interesave të kredisë”, është një projekt i cili zbatohet për herë të parë nga Bashkia e Tiranës për ato familje apo çifte të reja, të cilat nuk kanë aftësi ekonomike të përballojnë ofertën e tregut të lirë të banesave ose atë të kredive hipotekore në treg.
Në 2017-ën, nga ky projekt u miratuan 1000 familje përfituese. Kategoritë përfituese të programit për mbështetjen për strehim me synim përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve janë: familjet e reja; familje një prindërore me fëmijë në ngarkim; familje me më shumë se tre fëmijë; familje të shpronësuara; familje të prekura nga investime publike; familje emigrant i rikthyer, si dhe në rastet e dhunës në familje.