Kreditë e këqija në banka ranë për të tetin muaj rresht duke zbritur në nivelin më të ulët në 6 vjet.
Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të majit, kreditë e pakthyera zbritën në 15.86 për qind e totalit nga rreth 16.6 për qind që ishin një muaj më parë. Ky është niveli më i ulët i kredive të këqija që nga tremujori i parë i vitit 2011.
Sipas Bankës së Shqipërisë, rënia e kredive me probleme është rezultat kryesisht i dy faktorëve; fshirjeve dhe ristrukturimit të tyre. Përmes fshirjes, bankat nxjerrin jashtë bilancit, të gjitha kreditë, të cilat kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen. Kjo është një kërkesë e imponuar nga rregullat e Bankës së Shqipërisë.
Por veç fshirjeve që detyron ligji, një pjesë e bankave janë duke fshirë edhe kreditë problematike më të reja se tre vjet, kur debitorët pranojnë të paguajnë një pjesë të borxhit që kanë marrë. Shuma që paguhet dakortësohet në marrëveshje rast pas rasti mes bankës dhe kredimarrësit
Burime nga Banka e Shqipërisë thonë se kjo metodë ka rezultuar efikase në uljen e portofolit të kredive më probleme, ndërkohë që paralelisht kanë vazhduar edhe ristrukturimet.
Ky i fundit është një proces ku banka pranon të zgjasë afatin e shlyerjes së borxhit për kredimarrësin si dhe të ulë normën e interesit duke e lehtësuar kështu nga pagesat.