Ekspertët e ekonomisë, Arben Malaj dhe Selami Xhepa, në një intervistë për Nertil Agalliun në studion e TvT, analizuan efektet e fondit të garancisë sovrane, instrumenti me të cilin qeveria po asiston biznesin e madh për përballimin e situatës së koronavirusit.
Malaj u shpreh se kjo nismë do të jetë me përfitim për ndërmjetësit financiarë, pra bankat, të cilat me garancinë e shtetit japin kredi për përballimin e jo më shumë se tre muaj paga për punonjësit e bizneseve të mëdha.
“Qeveria duhet të jetë shumë e kujdesshme në paketat që prezanton. Në lidhje me shumën, nuk jemi të qartë sa do të zgjasë, por ajo që dëgjojmë nga kryeministrat e tjerë, që mundohemi ti ndjekim, është që pasi është qartësuar instrumenti me të cilin ti do ta ndihmosh ekonominë të mos shkojë në kolaps, është që instrumentet duhet të jenë të tilla që të krijojnë likuiditete. Po të shikoni ka shumë vende që thonë do japim 1000 dollarë, në bazë të fuqisë ekonomike. Shkalla e ndërhyrjes së Bankës qendrore dihet si vepron në rast krize. E ka ulur koston e parasë në minimumin e mundshëm, që do të thotë është përfitim real për ndërmjetësit financiarë, pra bankat”, tha Malaj.
Ndërsa për ekspertin Selami Xhepa, norma e interesit me të cilën jepen këto kredi nuk mund të quhet lehtësim. Xhepa thotë se nisma ka për qëllim shpëtimin e vendeve të punës, ndërsa thekson se në raport me shtetin, bankat kanë risk zero.
“Nuk është ndonjë luks i madh të marrësh kredi me normë interesi 3%, sepse në vendet e tjera të Europës merret edhe kredi konsumatore 2%. Adresimi i krizës lidhet fillimisht me shpëtimin e vendeve të punës. Pra kjo bëhet me qëllim vazhdimësinë e procesit të prodhimit. Prisja të shihja një ndarje më të mirë të riskut. Bankat në këtë rast janë me risk zero. Bankat duhej të marrin edhe ato përsipër një rrezik, sepse në fund të fundit bizneset janë kliente të saj”, tha ai.