Bota Kremlini: Assad është në Moskë me familjen. I kemi dhënë azil politik

Kremlini: Assad është në Moskë me familjen. I kemi dhënë azil politik

Presidenti i përmbysur sirian Bashar Assad u arratis në Moskë të dielën, sipas njoftimeve të mediave ruse, disa orë pasi kryengritësit morën nën kontroll kryeqytetin Damask, duke i dhënë fund sundimit të hekurt 50 vjeçar të familjes Assad.

Agjencitë ruse Tass dhe RIA cituan një burim të Kremlinit të thoshte se al- Assadit dhe familjes së tij iu dha azil në Moskë, aleatja e tij më e vjetër.

RIA tha gjithashtu se Moska kishte marrë garanci nga kryengritësit sirianë për sigurinë e bazave ushtarake ruse dhe përfaqësive të saj diplomatike në Siri.

Sipas njoftimeve, al-Assad u largua nga Siria herët të dielën dhe sirianët janë derdhur nëpër rrugë duke shkrehur armët në ajër pasi një ofensivë e befasishme e rebelëve përparoi me shpejtësi duke mbërritur në kryeqytet dje dhe duke i dhënë fund sundimit të hekurt 50 vjeçar të familjes Assad.

Rrjedha marramendëse e ngjarjeve ka ngritur pikëpyetje për të ardhmen e vendit dhe të rajonit më gjerë.

Rusia ka kërkuar një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar situatën në Siri, tha në Telegram zëvendës përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në OKB, Dmitry Polyansky.