Kremlini ka konfirmuar takimin mes presidentit rus Putin dhe shefit të Brigadës Wagner, Prigozhin. Të dy u takuan më 29 qershor në Moskë, pesë ditë pas kryengritjes së dështuar.
Zëdhënësi i Kremlinit tha se 35 persona ishin të pranishëm në takim, duke përfshirë komandantët e Wagner-it, të cilët i kanë thënë Putinit se do të vazhdojnë të luftojnë për të. Kjo është bërë e ditur nga agjencia prestigjioze e lajmeve, “Reuters”.
Lajmi u parapri nga gazeta franceze “Liberation”, duke cituar burime të inteligjencës perëndimore. Sipas gazetës, Prigozhin foli gjithashtu me gjeneralin Viktor Zolotov, komandant i gardës kombëtare të Rosgvardia dhe një besnik i presidentit dhe me Sergei Naryshkin, kreun e inteligjencës së jashtme ruse.
Prigozhin në Kremlin dyshohet se “negocioi fatin e perandorisë së tij”, shpjegon media franceze. Disa ditë më parë, presidenti bjellorus Alexander Lukashenko konfirmoi se themeluesi i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin nuk ndodhet në Bjellorusi, por është rikthyer në Rusi.
Komandanti i mercenarëve të Wagner, tha më herët se qëllimi i marshimit drejt Moskës nuk ishte për të rrëzuar presidentin rus, Vladimir Putini nga pushteti.
Në reagimin e tij të parë pas rebelimit, Prigozhin thotë se nisi marshimin për të mbrojtur forcat e tij, pasi ishte vendosur nga Moska shpërbërja e tyre me datë 1 Korrik.
“Ne nuk marshuam për të përmbysur udhëheqjen e Rusisë. Shmangëm shkatërrimin e Wagnerit, pasi më 1 Korrik do ndalonte së ekzistuari”, – tha ai.
Sipas Prigozhin, qëllimi kryesor i forcave të Wagner ishte largimi i ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, për të cilin ka pasur qëndrim kritik që nga fillimi i sulmeve ushtarake në Ukrainë.
Pas marshimit për rreth 24 orë, teksa ndodhej 200 km larg Moskës, Prigozhin ra dakord të tërhiqej pas një marrëveshje të ndërmjetësuar nga presidenti bjellorus, Aleksandër Lukashenko, duke i dhënë fund rebelimit të armatosur.