Futja e Finlandës dhe Suedisë në NATO me gjasë nuk do bëjë shumë diferencë, sipas ministrit të jashtëm të Rusisë. Duke folur në një leksion publik në Moskë, Sergei Lavrov thotë se të dy vendet “kanë marrë pjesë në stërvitjet ushtarake të NATO-s për shumë vite”, sipas mediave ruse, të cituara nga BBC.
Por ai përsëriti qëndrimin e Moskës se përgjigja e vendit të tij ndaj vendimit të Suedisë dhe Finlandës për të aplikuar për anëtarësim në aleancën ushtarake do të varet nga forcat që NATO do të vendosë në territorin e tyre.
Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se vendet si Britania e Madhe dhe SHBA, këshilltarët ushtarakë të të cilëve, thotë ai, “u thonë nacionalistëve të armatosur ukrainas se çfarë të bëjnë, [dhe] që u japin atyre informacione të inteligjencës”, duhet të konsiderohen më shumë se “jo miqësore”.
“Ne e themi butë duke i quajtur ato shtete jo miqësore. Tani do të thosha se këto janë tashmë shtete armiqësore sepse ajo që ata po bëjnë është luftë”, shtoi Peskov.
Rusia ka një listë zyrtare të shteteve “jo miqësore”, të përbërë kryesisht nga anëtarë të NATO-s, si dhe vende jo anëtare si Australia dhe Japonia, të cilat gjithashtu kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë.