Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako zhvilloi një takim në Tiranë me Selami Altinok, Guvernator dhe Drejtor i Përgjithshëm i Sigurisë i Republikës së Turqisë.
Fokusi i këtij takimi ishte diskutimi i çështjeve në interes të përbashkët për fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Policive të dy vendeve, në kuadër të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar si dhe shkëmbimi i eksperiencave në fushën e Policimit.
Çako dhe Altinok kanë vlerësuar si të shkëlqyer bashkëpunimin midis Autoriteteve Policore Shqiptare dhe Turke, për parandalimin dhe goditjen e terrorizmit, krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.
Të dy drejtuesit kanë nënvizuar gatishmërinë që ashtu si me vendet e tjera të Ballkanit, të thellojnë edhe më tej luftën kundër elementëve radikalë, luftë kundër të gjithë këtyre fenomeneve që shqetësojnë dhe cenojnë sovranitetin dhe sigurinë kombëtare.
Gjithashtu u tregua vendosmëri nga dy palët për të kontribuar maksimalisht në parandalimin e çdo lloj iniciative dhe për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore çdokënd që shkel dhe cenon sovranitetin ose sigurinë e kombeve.
Nuk dihet nëse gjatë takimit mes Çakos dhe Selami Altinok është diskutuar për personat që janë në kërkim apo ata që janë pjesë e organizatës së Gylen në Shqipëri, të cilën Turqia e ka cilësuar terroriste.
Çako u shpreh se “Keni treguar se pavarësisht nga gjuha, misioni dhe qëllimi ka qenë i njëjtë, ndaj dhe operacionet e përbashkëta kanë pasur sukses të padiskutueshëm dhe të vlerësuar nga partnerët tanë”.
Ndërsa Altinok tha se “Unë uroj dhe dëshiroj që kjo vizitë të kontribuojë shumë në zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit që vazhdon prej një kohe të gjatë midis dy Drejtorive të Përgjithshme të dy institucioneve tona.
Marrëdhëniet tona po vazhdojnë në të gjitha fushat në një mënyrë të përkryer. Ka pasur një bashkëpunim shumë të mirë dhe intensiv në fushën e trajnimeve midis dy Drejtorive të Përgjithshme”.
Në fund të takimit Selami Altinok, Guvernator dhe Drejtor i Përgjithshëm i Sigurisë i Republikës së Turqisë, ka shprehur kërkesën që gjatë vitit 2018 të mblidhet Komisioni i Përbashkët për Sigurinë, dhe ky Komision të mblidhet në Turqi, kërkesë që u mirëprit dhe u vlerësua si shumë e vlefshme nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako
Gjatë vizitës në vendin tonë, delegacioni i lartë i Policisë Turke, zhvilloi disa vizita e takime, në Elbasan e Krujë.