Gjatë një konference për shtyp në Gjykatën e Firences, Prokurori kombëtar i antimafias, Federico Cafiero De Raho ka folur për operacionin antidrogë që çoi në arrestimin e 20 personave, ku ka theksuar se kriminelët shqiptarë kanë aftësi të mëdha duke u marrë drejtpërdrejt me kartelet e trafikantëve të drogës në Amerikën Latine.
“Ndonjëherë na shtyjnë të mendojmë se organizatat kriminale shqiptare janë të nivelit të dytë. Operacioni Los Blancos demonstron, megjithatë, se kriminelët shqiptarë kanë aftësi të mëdha duke u marrë drejtpërdrejt me kartelet e trafikantëve të drogës në Amerikën Latine, duke siguruar me ta marrëdhënie të qëndrueshme.
Hetimet gjithashtu bënë të mundur për të konstatuar ekzistencën e një superstrukture kriminale shqiptare, një lloj ‘kupole’, nga e cila vinin direktivat strategjike”, – u shpreh prokurori kombëtar i antimafia, Federico Cafiero De Raho.
“Ky është një operacion ndërkombëtar, megjithatë shumë i rëndësishëm, i cili ka sjellë në provë rolin e trafikantëve shqiptarë të drogës”, – theksoi prokurori
Sipas mediave italiane, Cafiero de Raho ka thënë se kriminelët shqiptarë që janë marrë me trafikimin e drogës i kanë realizuar mbërritjet e ngarkesave të kokainës në portet evropiane, veçanërisht në Antverp dhe Roterdam. Ai ka shtuar se kapacitetet e tyre u zbuluan nga marka e tyre e famshme “Bello”, e cila ishte stampuar në pakot e kokainës së importuara në Evropë.
“Marka në blloqe, është pothuajse si një garanci e cilësisë së produktit, është një risi absolute dhe befasuese, e cila u shfaq në pesë vjet hetime”, – theksoi Cafiero de Raho.