Stewart Rhodes, themeluesi i grupit paraushtarak të djathtë Oath Keepers u dënua nga juria të martën për konspiracion rebelimi për sulmin e bërë vitin e kaluar ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, në një përpjekje të dështuar për të përmbysur humbjen në zgjedhje të presidentit të atëhershëm, Donald Trump. Vendimi përfaqëson një fitore të rëndësishme për Departamentin e Drejtësisë.
Rhodes, i diplomuar për jurisprudencë nga Universiteti Yale, njëkohësisht edhe ish-parashutist i ushtrisë amerikane, si dhe ish-avokat të cilit iu hoq liçenca, ishte akuzuar nga prokurorët gjatë një procesi gjyqësor tetëjavor se nxiti organizimin e një skeme për të përdorur forcën për të ndalur çertifikimin nga Kongresi të fitores në zgjedhje të Presidentit Joe Biden.
Rhodes ishte më i mirënjohuri ndër 5 të akuzuarit në procesin më domethënës gjyqësor të ngritur pas sulmit vdekjeprurës të 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit. Një tjetër i akuzuar, Kelly Meggs, u gjend gjithashtu fajtor të martën për konspiracion rebelimi, ndërsa tre të tjerë – Kenneth Harrelson, Jessica Watkins dhe Thomas Caldwell – u shpallën jofajtorë për këtë akuzë.
Rhodes themeloi në vitin 2009 grupin paraushtarak Oath Keepers, ndër anëtarët e të cilit janë ushtarakë aktivë dhe ish-ushtarakë, oficerë të organeve të zbatimit të ligjit dhe të ekipeve të emergjencave. Anëtarët e këtij grupi janë shfaqur shpesh, edhe të armatosur rëndë, në protesta dhe aktivitete politike në mbarë Shtetet e Bashkuara, përfshirë edhe në demonstratat që pasuan vrasjen e afrikano-amerikanit George Floyd nga një polic i bardhë në qytetin Minneapolis.
Të pandehurit u akuzuan për krijimin e një “force reagimi të shpejtë” që prokurorët thanë se ishte e pozicionuar në një hotel në Virxhinia dhe ishte e pajisur me armë zjarri që mund të transportoheshin me shpejtësi në Uashington nëse lindte nevoja.
Katër anëtarë të tjerë të grupit Oath Keepers të akuzuar për konspiracion rebelimi do të dalin në gjyq në dhjetor. Anëtarët e një grupi tjetër të krahut të djathtë të quajtur Proud Boys, përfshirë ish-kryetarin e tyre Enrique Tarrio, gjithashtu do të dalin në gjyq me akuzën e konspiracionit për rebelim në muajin dhjetor.