Aktualitet Kreu i KLP përjashtohet nga drejtësia për 15 vite

Kreu i KLP përjashtohet nga drejtësia për 15 vite

Për 15 vitet në vijim, kreu aktual i Këshillit të Lartë të Prokurorëve, Alfred Balla, nuk mund të ushtrojë funksionin e prokurorit, gjyqtarit, anëtarit të KLP, të KLGJ, apo të Inspektorit të lartë të Drejtësisë.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të pranojë ankimin e bërë nga Komisioneri Publik kundër vendimit të KPK ndaj Ballës, që në vitin 2023 vendosi të ndërpresë pa një vendim përfundimtar procesin e vetingut ndaj Ballës.

“Trupi gjykues me shumicë votash vendosi ndryshimin e vendimit: Ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit Alfred Balla. Ai nuk mund të emërohet si gjyqtar, apo prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, apo i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, inspektor i lartë i drejtësisë apo prokuror i përgjithshëm për një periudhë 15-vjeçare. Ky vendim është përfundimtar dhe me efekt të menjëhershëm”, thuhet në vendim,

Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Ina Rama kryesuese, Albana Shtylla relatore, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë.