Kreu i ri i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të zgjidhet mes tre prokurorëve, Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili.
Në KLP kanë mbërritur edhe përfaqësues të ambasadës amerikane.
Kandidati për kreun e ri të SPAK, Adnan Xholi, ishte i pari që shpalosi platformën. Ai është shprehur përpara komisionit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë se është një nga kandidatët që ka aftësitë e duhura profesionale, hetimore dhe menaxhuese për të qenë në krye të këtij institucioni.
“Jam një nga kandidatët që kam shprehur vullnetin, duke besuar se plotësoj kriteret. Me bindjen se kam aftësitë e duhura profesionale, hetimore dhe menaxhuese për të qenë në krye të SPAK. Kjo prokurori është bërë efektive falë punës suaj dhe ndihmës së partnerëve. Trupa e SPAK është më profesionalja në republikë dhe jam krenar që punoj me ta. Krahas rezultateve të shkëlqyera, mendoj se ka ardhur momenti që trupa të vijojë me Hapa të mëtejshëm cilësorë në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe krimit të organizuar. Duhet të keni hetime konkrete në kohë të shpejtë dhe duke u bazuar vetëm në prova.
Vij para jush si kandidat me mbi 24 vite eksperiencë. Karriera ime ka pasur ngritje të vijueshme dhe konsistente. I kam nisur nga niveli bazë deri në Prokurorinë e Përgjithshme. Kam nisur si OPGJ në Tepelenë. Më pas prokuror dhe drejtues në Gjirokastër. Më tej, kam qenë prokuror dhe për një periudhë drejtues i Prokurorisë për Krimet e Rënda. Më vonë kam qenë pjesë e Prokurorisë së Përgjithshme në nivele drejtuese drejtorish të rëndësishme. Krahas eksperiencës profesionale, kam një eksperiencë të pashkëputur në fushën akademike. Jam pedagog i jashtëm dhe ekspert në shkollën e magjistraturës dhe ekspert në disa universitete. Paketa ligjore e reformës solli risi në sistem. Drejtuesi i SPAK ka rolin e menaxherit.
Nëse do votohesha nga ana juaj bëj me dije se qenia drejtues nuk më heq titullin e prokurorit dhe krahas menaxhimit, vetë drejtuesi duhet të mbajë përgjegjësitë e tij, sidomos në ngarkesën e institucionit. Drejtuesi duhet të japë vëmendjen e duhur në çështjet kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Drejtuesi, jo vetëm të bëjë menaxherin, por në çështje sensitive të jetë pjesë e grupit hetimor për të dhënë edhe eksperiencën e tij. Drejtuesi duhet të japë kontributin e tij edhe pranë Gjykatës së Lartë në rastet e praktikave njehsuese. Drejtuesi duhet të udhëheqë gjithë trupën në betejë dhe asnjë prokuror që zbaton ligjim të mos ndjehet i vetmuar”, tha Xholi.