Kreu i SPAK, Altin Dumani ka bërë një deklaratë të fortë gjatë një takimi në kuadër të një nisme dialogu mes institucioneve dhe aktorëve të politikëbërjes, “IDM Morning Briefing”, e organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.
Kreu i SPAK deklaroi se familja e një prokurori të Prokurorisë së Posaçme është kërcënuar nga krimi i organizuar.
Teksa nuk e bëri publik emrin e prokurorit, Dumani theksoi se e shqetësojnë kërcënimet nga krimi i organizuar dhe jo ato që vijnë nga politika. Megjithatë ai shtoi se prokurorët janë të përgatitur për këto situata në mënyrë që të mos kthehen pas dhe të vijojnë hetimet e krimit dhe korrupsionit.
“Krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori. Më shqetëson kërcënimi nga krimi i organizuar, jo kërcënimi nga politika. Ne kemi bërë llogari edhe që mos kthehemi, sepse kjo është detyra jonë të hetojmë. Prokurorët janë imunë, janë të gjithë të përgatitur që ti përballojnë këto situata, por në fund të fundit e kemi zgjedhur vetë këtë detyrë”, ka thënë Dumani.