Gjatë një ceremonie të mbajtur këtë të hënë ku u shpërndanë certifikata për hetuesit e BKH-së, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja bëri një bilanc të punës së bërë deri më tani nga organi që ai drejton ndërsa tha se në hetimet e SPAK përfshihen të gjitha kategoritë e zyrtarëve.
“Kemi hetimet të përbashkëta në vazhdimësi me autoritetet të huaja, të vendeve nordike, të Holandës, Gjermanisë, ku shkëmbejmë përditë informacion dhe kryejmë hetime të përbashkëta. Në hetimet tona janë përfshirë të gjitha llojet dhe kategoritë e zyrtarëve, por dhe zyrtarë publikë në Shqipëri, sipas prioriteteve që kanë qenë. Kemi të përfshirë drejtues të pushtetit lokal, zyrtarë të mesëm, zyrtarë të lartë. Kemi të përfshirë funksionarë e ish-funksionarë të sistemi të drejtësisë, të cilët i janë nënshtruar hetimeve, një pjesë janë dënuar, një pjesë vazhdojnë gjykimin, por do vazhdojmë në të njëjtin ritëm”, tha Kraja.
Kraja po ashtu tha se besimi ndaj SPAK ka ardhur në rritje, megjithatë ai theksoi se 2 vite nuk mund të ndryshojnë konceptin e rrënjosur prej 30 vitesh të pandëshkueshmërisë. Ai theksoi po ashtu se i gjithë procesi duhet të jetë një proces i rregullt, e në këtë kontekst Kraja tha se vendimmarrja e SPAK mund të jetë e vonuar, por është një vendimmarrje e cila nuk kthehet më pas.
“Sot edhe ata që kanë qenë më mosbesues ndaj nesh, kërkojnë që të na japin për të ushtruar funksione të cilat normalisht nuk i ka një prokuror. Besoj kjo është çështje besueshmërie në rritje. Megjithatë, duhet të them diçka këtu. Ne jemi prokurorë, ne nuk bëjmë as revolucion, nuk jemi as analistë, dhe ne jemi përfaqësues të shtetit, zbatues të ligjit. Që do të thotë që veprimtaria jonë është e bazuar në ligj, në prova për të ndëshkuar kushdo që të jetë ai person që ka shkelur ligjin, për të ndryshuar mentalitetin e konceptit të pandëshkueshmërisë që ka 30 vite në Shqipëri që ekziston dhe që besoj që jemi të gjithë dakord që nuk është e mundur për t’u ndryshuar për 2 vite. Por, duhet të jemi qartë në diçka tjetër. I gjithë ky proces duhet të jetë brenda standardeve dhe kornizave ligjore, që do të thotë duhet të garantojnë dhe të drejtat dhe liritë themelore të njeriut me një proces të rregullt. E them këtë sepse vendimmarrja jonë vërtetë mund të vonojë, por është vendimmarrje e bazuar, e mbështetur, e cila nuk kthehet pas më”.
Yuri Kim për SPAK-un: Jeni bërë tmerri i kriminelëve
Ambasadorja e SHBA në Tiranë ka dhënë disa mesazhe në 2-vjetorin e krijimit të SPAK. Në fjalën e saj ambasadorja tha se SHBA është shumë e lumtur me arritjet që SPAK ka bërë në këto dy vite punë.
Kim kërkoi durim nga qytetarët, duke thënë se Reforma në Drejtësi po ecën me ritme të ngadalta, por po bën punë shumë të mira duke vendosur standarde të reja në drejtësi.
“SHBA mbështet demokracinë e Shqipërisë dhe u inkurajojmë që të luftoni kundër krimit të organizuar, është një punë e vështirë dhe asgjë nuk mund të arrihet direkt. Por ju duhet të injoroni që atë njerëzit thonë dhe të jeni të fokusuar në punë.
Jam shumë e impresionuar nga dëshira juaj për të bërë drejtësi dhe për të hetuar të gjithë ata që duhet të hetohen. Drejtësia tani është më e pastër dhe më e arritshme.
Viti 2021 ka qene pika e kthesës për Shqipërinë në luftën kundër krimit të organizuar dhe SHBA është shumë e lumtur me arritjet e SPAK. Reforma në Drejtësi nuk është e shpejtë ose perfekte, por është e rëndësishme që të vijohet hap pas hapi. Nuk duhet të kemi asnjë hap pas, vazhdon vetëm përpara. Ne ketë dyvjetor të SPAK ju tashmë jeni bërë heronjtë e fëmijëve dhe tmerri i krimineleve”, tha Yuri Kim.