Kreu i SPAK, Altin Dumani ka bërë raportimin në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ku ka evidentuar punët e bërë nga ky organ i drejtësisë. Gjatë fjalës së tij, Dumani ka theksuar problematikat me të cilat ai dhe hetuesit ndeshen.
Dumani është shprehur se problematike mbetet situata sa i takon çështjeve të mbartura.
Po ashtu, problematikë për SPAK, ka thënë Dumani është edhe mungesa e ambienteve për ekspertët teksa ka deklaruar se 3, 4 deri në 6 hetues qëndrojnë në një zyrë.
“Problematike ngelet situata sa i cakton çështjeve të mbartura. Vihet re një numër i konsiderueshëm i çështjeve të mbartura në vitet e tjera. Ky është problem që prokurorët duhet t’i japin zgjidhje që çështjet e mbartura të zgjidhen. Kjo është një problematikë që unë e kam adresuar. Në funksion, unë kam bërë takime informuese duke evidentuar problematikën e çështjeve të mbartura dhe mundësinë se si mund të shtyhet hetimi për përfundimin e hetimit.
Një problematikë tjetër është mungesa e ambienteve, zyrave ku ne ushtrojmë funksionet. Ne nuk kemi zyra për prokurorë, për hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe për hetuesit financiarë. Nuk kemi zyra dhe ambiente për ekspertët. Kemi një laborator dixhital shumë të mirë, por nuk kemi ambiente, kushtet nuk janë të mira. Rezikojmë të dëmtojmë prej provave, shumë persona, mjedis i kufizuar. 3, 4 deri në 6 hetues janë në një zyrë. Nëse një hetues ka nevojë për të bërë pyetje një personi, kolegët e tjerë duhet të dalin jashtë dhe të mbarojë marrja në pyetje e këtij personi”, tha Dumani.